Në takimin e ardhshëm ministror franko-gjerman, sipas një burimi qeveritar, do të diskutohen çështjet e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti për përfaqësuesit e mediave në Berlin, tha se takimi që do të mbahet në Paris do të vlerësojë luftën Rusi-Ukrainë dhe do të diskutojë nevojat ushtarake të Ukrainës.

Ai tha se Gjermania është në bisedime me Francën dhe partnerë të tjerë në lidhje me dërgesat e armëve.

“Është me rëndësi të koordinohemi me njëri-tjetrin, në mënyrë që të vazhdojmë në mënyrë të koordinuar në këtë çështje të rëndësishme”, shtoi burimi.

Bisedimet e qeverisë franko-gjermane do të trajtojnë edhe tema të tjera të ekonomisë, energjisë, sigurisë dhe mbrojtjes.

Takimi fillimisht ishte planifikuar për muajin tetor, por më pas thuhet se u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve në mbrojtje dhe energji.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, si dhe shumë ministra të tyre do të mblidhen në Paris për një ditë festash dhe takimesh të organizuara për të shënuar 60-vjetorin e traktatit të miqësisë ‘Elysee’.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re