Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dalë në mbrojtje kërkesave të të ashpërquajturve “të fortët e burgjeve” të cilët po i nënshtrohen regjimit të posaçëm “41 bis”.

Së fundmi, ky institucion ka përcjellë një shkresë me rekomandime ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve duke kërkuar tjetërsimin e këtij projekti.

Pas verifikimeve në burgun 313 dhe Peqin, Avokati i Popullit thotë se masat janë më të rrepta se vetë modeli italian dhe në tejkalim të standardeve ndërkombëtare.

Genci Balla një nga të dënuarit si pjesë e grupit të xhihadistëve që rekrutonte luftëtarë shqiptarë dhe i dërgonte në Siri kërkon ushqim sipas ritit fetar. I ndodhur në regjimin 41Bis në Peqin ai ka refuzuar ushqimin, ndërsa ka kërkuar dhe orare më të zgjatura ajrimi, por edhe pasjen e mjeteve të informimit si televizor apo dhe radio.

Erinda Ballanca i ka dërguar një shkresë ministries së Drejtësisë Etilda Gjonaj, lidhur me disa nga rekomandimet për 41 bis, por ajo që bie në sy është se sipas Avokatit të Popullit legjislatori shqiptar ka tejkaluar dhe vetë rreptësinë e masave italiane nga ku është huazuar regjimi.

Regjimi i posaçëm“41 bis”, i konsideruar si mjaft efikas në Itali, është një nga projektet kryesore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe antimafjes italiane, i cili sipas të dhënave të më hershme është hartuar nga ekspertët  në respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara në Kushtetutë si dhe përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Është parashikuar që regjimi 41-bis të rishikohet e rivlerësohet për secilin të dënuar gjatë zbatimit të tij, me qëllim garantimin e një balance të drejtë ndërmjet nevojës për të ndërprerë lidhjet e të dënuarve me organizatat kriminale.

Forcimi i masave të sigurisë, janë kundërshtuar gjithmonë nga të burgosurit dhe të afërmit e tyre të cilët herë pas here kanë artikuluar ankesa të shumta duke kërkuar më shumë liri brenda IEVP-ve.

Ndërkohë, le të kujtojmë që “41 bis” është një projekt i implementuar në kuadër të reformës që është ndërmarrë në të gjithë sistemin penitenciar nga Ministria e Drejtësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re