Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka vënë në pranga shefin e policisë së burgut të Drenovës, Mariglen Kadiu, i cili më herët ka mbajtur këtë funksion edhe në burgun e Peqinit.

Edhe pse nuk ka detaje në lidhje me arrestimin e tij, dyshohet se gjithçka lidhet me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 15 Dhjetor në Burgun e Peqinit, ku Sokol Macaj vrau me pistoletë brenda në qeli Arben Lleshin si dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Lexo edhe :Related Posts

Futja e pistoletës brenda në burg tregoi se sa i brishtë është sistemi i burgjeve në vendin tonë. Dyshimet e para ishin se pistoleta mund të jetë futur brenda në burg në momentin e ndërrimit të drejtorëve, dhe për këtë ngjarje u arrestuan edhe 12 punonjës së burgut të Peqinit përfshirë edhe Drejtorin e Komanduar Kamber Hoxha.

Mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar “arrest me burg”, por Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak se ka një fëmijë autik.

Kadiu ka marrë detyrën e shefit të policisë në IEVP Drenovë rreth 8 muaj më parë.

Çfarë ndodhi në Peqin

Më 15 dhjetor 2023 në burgun e Peqinit u vra me armë zjarri Arben Lleshi. Autor i ngjarjes ishte Sokol Mjacaj dhe të dy vuanin dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë.

Mjacaj deklaroi se e vrau për një sherr që kishin pasi viktima nuk e pranonte në qeli, por nga dosja hetimore doli se për kokën e Lleshit ishin ofruan 200 mijë euro.

Armën, Mjacaj deklaroi se e kishte futur në qeli me ndihmën e stafit dhe e kishte mbjatur të fshehur për 20 ditë. Edhe pse kanë kaluar rreth 2 javë nga ngjarja, ende nuk dihet se si përfundoi arma në qelinë e Mjacajt.

Raporti tronditës i Kamber Hoxhës

Por para se të ndodhte kjo ngjarje e rëndë Drejtori i Komanduar i Burgut të Peqinit Kamber Hoxha i kishte dërguar një letër Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija evidenton të gjitha parregullsitë në këtë burg. Letra mban datën 30 nëntor 2023, pra është dërguar rreth dy javë para se Sokol Mjacaj i dënuar me burgim të përjetshëm të vriste brenda qelisë të dënuarin Arben Lleshi dhe të plagoste Ilir Shaqen.

Në letër theksohej se burgu i Peqinit ishte jashtë çdo standardi, pasi të burgosurit aty bënin ligjin.

“Të burgosurve ju është lejuar ndërhyrja/investimi në dhoma (rikonstruktim/kompletim), tashmë thuajse të privatizuara, ndërhyrja ne dhoma ka kufizuar shumë mundësin e kontrolleve për elemente” shkruhet në letër.

Ato që kanë qenë dhoma speciale janë arreduar dhe kthyer në dhoma të personalizuara dhe madje janë bërë ndërhyrje nga të burgosurit.

“Në dhomat të takimeve të zgjatura (speciale) janë bërë ndërhyrje nga të burgosurit (arredime/kompletim me krevate/dyshekë/kondicionerë/televizorë/ekspres kafeje etj), nga iformacionet që kemi këto dhoma janë të personalizuara” evidentohet më tej.

Edhe ato që dikur kanë qenë ambiente të përbashkëta janë kthyer në ambiente të personalizuara për të dënuarit përjetë.

“Në të tre godinat (A/B/C), pothuajse të gjitha ambjentet e përbashkëta (dushe/klasa/dhoma këshillimi) e kanë humbur destinimin e tyre pas janë shndërruar në, palestra të personalizuara (ku jo të gjithë të burgosurit e kanë mundësinë ti frekuntojnë), vende ku ushtrohen punime artizanale, lavanteri të personalizuara etj…..” shkruajnë zyrtarët e burgut

Kanë çdo gjë që mund të ketë një ambient luksoz dhe nuk mungon asnjë aksesor. Madje në dokument thuhet se të burgosurit kanë futur edhe  sende të clat janë më të mëdha se përmasat e lejuara.

“Të burgosurve u janë lejuar dhe futur në dhoma frigoriferë jashtë përmasave të lejuara, kondicionerë, furra pjekje, vatra gatimi, mikrovalë, thekëse buke, shtrydhëse frutash, aksesorë muzike të komplikuar të pazbërthyeshëm, expres kafeje dhe materiale të tjera“

Drejtori evidenton se dhomat janë bërë të tilla sa janë të pamundura të kontrollohen është cenuar siguria dhe po rrezikohet jeta e personelit.

“Futja/lejimi, si dhe përdorimi pa asnjë kriter nëper dhoma banimi/ambjente të përbashketa pa asnje urdhër apo plan masash i veglave dhe materialeve artizanale, jo vetëm bën të vështirë gjetjen dhe kapjen e sendeve të ndaluara(rasti i kapjes së telefonit te denuarit Ilir Kupa, pasi kishte prerë kasën metalike të derës), por rrezikon seriozisht jetën e personelit/burgosurve dhe cënon rënd sigurinë e burgut.”

Problematikat kanë të bëjnë dhe me sigurinë. Sistemi i skanimit, as ai i monitorimit të kamerave nuk punon. Vetëm një kamer punon dhe të gjitha dyert e burgut hapen me një çelës të vetëm.

“Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë, ka probleme me teknologjinë, në regjim të brendshem ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa palestra, dhoma takimesh me familjarë/virtuale online, takime me avokatet, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pa monitoruara nga kamerat e sigurisë. Në të dyja sektorët mbulohen vetëm me një kamer, por duke patur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme e bën të pamundur mbulimin vetëm nga një kamer.”

Të gjitha dyert e brendshme në sektor hapen me një çelës të vetëm.

“Të gjitha dyert e banimit të burgosurve në sektorë hapen me një çelës të vetëm, ndersa drynat e shulave të cilët mbyllen në turnin e tretë, janë cilësi shumë e dobët, gjë e cila cënon rëndë sigurinë e institucionit dhe vetë të burgosurve”.

Problematikat që preken kanë të bëjnë dhe me ambientet e observimit ku sipas tij ndodhen 37 të burgosur të pa sistemuar ku periudha e qëndrimit në ato ambjente është nga 1 deri në 16 muaj.

Ndërsa në regjimin e posaçëm, 41 – bis ndodhen 23 të burgosur të pasistemueshëm dhe se ky ambient “është populluar pa asnjë urdhër me shkrim” thuhet në letër.

Madje brenda burgut ishin krijuar edhe ndarje mes të burgosurve, ku “të fortët” përdornin të burgosurit e tjerë për të kryer punë të rënda.

“Fenomen aspak i denjë për kohën, poshtërues dhe diskriminues, ku të burgosur përdoren për të pastruar ambiente, sektorë, dhomat e të tjerëve si dhe për të transportuar ushqimet dhe plaçkat e tyre. Kjo kategori nuk është e përfshirë në listën organike të punësimit.”

Në letrën e firmosur nga drejtori i komanduar, Kamber Hoxha thuhet se në ditët në vijim informacioni do të jetë më i plotë.

Arrest shtëpie për Kadiun

Edhe pse SHKB ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e Kadiut, dyshohet se ajo është e lidhur me ngjarjen e Peqinit, pasi shumë nga parregullsitë që Kamberi evidentonte në letër fyshohet se janë bërë kur Kadiu ishte me detyrë në këtë burg.

Gjitashtu mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar “arrest me burg”, por Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak se ka një fëmijë autik.

/Vizionplus.tv/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re