Gjetjet e studimit të programit kërkimor “Gjenerata e të Ardhmes” u prezantuan nga Këshilli Britanik në Tiranë gjatë një konference ditën e enjte, ku u shpalosën nevojat, qëndrimet dhe besimet e të rinjve shqiptarë lidhur me sfidat që ato hasin në fusha të ndryshme të jetës.

Studimi përfshiu 1249 të rinj shqiptarë nga mosha 18-29 vjeç të zonave të ndryshme të vendit, dhe është i pari në llojin e tij që fokusohet mbi rininë shqiptare dhe nevojat e gjeneratës së parë që rritet në një shoqëri post-komuniste.

“Ndjenja mbizotëruese e gjetjeve në këtë raport është zhgënjimi nga politika dhe jo mosinteresimi. Të rinjtë shqiptarë janë politikisht të frustruar për shkak të injorimit të zërit të tyre dhe paaftësisë së sistemit politik për të përfaqësuar ata”, theksojnë gjetjet e studimit.

Studimi thekson se jeta në Shqipëri është përmirësuar në krahasim me brezat e kaluar, por gjithsesi vë në dukje standardin e jetesës i cili lë për të dëshiruar, si edhe nevojën e të rinjvë për t’u integruar në tregun e punës.

“Një shqetësim i ngutshëm është aftësia e sistemit arsimor për të përgatitur rininë për punësim”, citojnë gjetjet e studimit.

Sipas raportit, rinia shqiptare në tërësi po orientohet gjithnjë e më shumë drejt vlerave individualiste dhe personale, duke u larguar prej atyre kolektive.

Familja, sfidat ekonomike dhe mediat sociale, janë identifikuar si tre prej ndikimeve kryesore që modelojnë sistemet e vlerave të rinisë shqiptare.

“Sfidat ekonomike nxitin një prirje në rritje drejt individualizmit ndërsa mediat sociale po përkeqësojnë ndjenjat e krahasimit, duke ndikuar negativisht në shëndetin mendor dhe në vetë perceptimin e të rinjve shqiptarë”, citon studimi./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re