Gjykata kushtetuese ka urdhëruar parlamentin që brenda një viti të miratojë një kuadër të plotë ligjor për të garantuar votën e emigrantëve aty ku jetojnë.

 

Kushtetuesja ka publikuar argumentet për pranimin pjesërisht të ankimit të shoqatës “ Diaspora për Shqipërinë e lirë”, duke theksuar se ligjvënësi ka detyrimin të plotësojë kodin elektoral për votën e emigrantëve.

 

“Gjykata vlerëson se i përket Kuvendit të plotësojë boshllëkun ligjor të lartpërmendur brenda një afati që në rastin konkret konsiderohet të caktohet një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”

 

Sipas gjyqtarëve nenet aktuale në kodin zgjedhor nuk garantojnë plotësisht të drejtën e votës për emigrantët aty ku jetojnë, dhe procedurat e detyrimet e institucioneve duhen detajuar.

 

“Gjykata çmon se paqartësia e normave të Kodit Zgjedhor në drejtim të afatit, organit kompetent dhe parimeve në bazë të të cilave duhet të nxirren aktet nënligjore për këtë çështje jo vetëm cenon parimin e sigurisë juridike, por në fakt përbën boshllëk ligjor, që cenon të drejtën kushtetuese të votës”.

 

Nga ana tjetër, kushtetuesja pushoi gjykimin për urdhrin e ministrisë së shëndetësisë që detyronte emigrantët të karantinoheshin dy javë në prag të zgjedhjeve parlamentare.

 

Në kodin zgjedhor me marrëveshjen e 5 qershorit u vendos e drejta e emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë por të gjitha aktet iu lanë si detyrë komisionit qendror të zgjedhjeve. Për shkak të kohës së kufizuar nga moment kur u ngrit KQZ deri në mbajtjen e zgjedhjeve të 25 prillit, KQZ dështoi të garantonte votën e emigrantëve.

 

Sot të gjitha partitë janë shprehur pro votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, por vullneti real i tyre do të shihet kur të diskutohet reforma zgjedhore, nëse realisht do të garantohet e drejta e votës për qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re