Të gjitha partitë politike në Shqipëri janë të paligjshme. Sipas studiuesit politik Afrim Krasniqi asnjë nga partitë politike në Shqipëri nuk e ka respektuar ligjin që i detyron ato që të raportojnë periodikisht në gjykatën e Tiranës.

Afrim Krasniqi: Ne e kemi një ligj për partitë politike dhe kemi një detyrim, që çdo parti duhet të bëjë deklarimin çdo dy vjet në gjykatën e Tiranës, të zhvillimeve që kanë në parti, të strukturës, të vendimmarrjeve. Dhe në fakt nëse ne e marrim këtë ligj sot, shohim që të gjitha partitë politike në Shqipëri, përfshirë edhe PS e PD janë të gjitha të paligjshme. Asnjë prej këtyre nuk na depozituar dokumente të plota, asnjë nuk ka depozituar dokumente mbi anëtarësinë, asnjë prej tyre nuk ka përmbushur nenin 9 të Kushtetutës pika 3, për të bërë publike burimet e financimit dhe shpenzimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas Krasniqit, Shqipëria renditet tek vendet me probleme më të mëdha për sa i takon partive politike.

Afrim Krasniqi: Ne bëjmë pjesë në listën e vendeve me problemet më të mëdha të partive politike. Nuk po marr për krahasim vendet perëndimore, sepse janë shumë të zhvilluara, po po marr Kosovën. Kosova ka një zyrë në KQZ dhe ka një detyrim ligjor që çdo fundviti partitë të deklarojnë gjithë procesin zgjedhor të vitit, të detyrueshëm, të deklarojnë statuset, të gjitha adresat e zyrtarëve lokalë që ka kjo parti: me numër telefoni, me adresarë, në mënyrë që kushdo që ka interes, ta verifikojë. Tek ne është e pamundur, ne nuk gjejmë dot as kontaktet e anëtarëve të kryesive, për shkak se partitë e konsiderojnë sekret shtetëror.

Problemi, sipas tij, qëndron tek ligji për partitë politike që sipas Krasniqit është bërë enkas që të mos ketë transparencë.

Afrim Krasniqi: Por ky nen dhe këto dispozita bien tërësisht në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe sidomos me ligjin e partive politike. Ligji i partive është i tejkaluar nga koha, nuk është funksional, është paradoksal dhe është bërë në mënyrë të tillë që të mos ketë transparencë. Unë po marr një detaj për shembull: E dini ju që në ligin e miratuar në vitin 2000 dhe pastaj të amenduar në 2010 thuhet që partitë politike kryesore duhet të kenë zyrë në çdo qark dhe Ministria e Brendshme duhet të bëjë një inventar prone të partive politike? As sot mbas 9 apo 12 vitesh nuk është bërë kjo gjë.

Të njëjtin mendim me Krasniqin ndan edhe juristi Jordan Daci.

Jordan Daci: Në Shqipëri, prej vitesh, ka një mungesë ndarjeje të dukshme midis funksioneve qeverisëse dhe ligjvënëse, pra të pushteteve, dhe të funksioneve politike. Kjo për arsye se pavarësisht se ne nuk aderojmë në një forcë politike, qeveria, na pëlqen s’na pëlqen, është edhe e imja, edhe e jotja, është edhe të gjithëve, është edhe anëtarëve të partive të tjera.

Por a jemi në kushtet që të rishikohet kushtetutshmëria e partive politike dhe që ndonjëra prej tyre të çregjistrohet?

Afrim Krasniqi: Teorikisht po, por praktikisht kjo është e pamundur. Asnjë gjykatë kushtetuese nuk do të marrë përsipër të diskutojë nëse partitë tona kryesore janë kushtetuese apo jo. Nëse i referohemi praktikës shqiptare ne kemi pasur vetëm një rast që kemi ndaluar parti, ka qenë Partia Komuniste.

Këtu Daci ndahet nga opinioni i studiuesit politik. Sipas konstitucionalistit Daci, projektligjet që dalin nga qeveria apo nga kuvendi nuk kanë lidhje me forumet politike.

Jordan Daci: Partitë politike me të vërtetë janë ato, të cilat garojnë për të marrë drejtimin e vendit, por sistemi qeverisës është plotësisht i ndarë nga partitë politike. Edhe pse ne shpeshherë kemi parë që mbledhjet zhvillohen dhe vendimet merren në forume partiake, në fakt kjo është një ndër gjërat që kushtetuta nuk i lejon. Pra, forumet partiake, përfshirë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike etj. etj., nuk mundet kurrsesi të kenë rrol vendimmarrjeje apo politikëbërje, për sa i përket strukturës shtetërore.

Analistët politikë gjithnjë e më tepër po sjellin në vëmendje se partitë politike shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me partitë reale, por ato lidhen me shumë më promovimin e oligarkëve dhe biznesmenëve.

/TV Tema

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re