Çdo ligjvënës i mazhorancës ngriti kartonin jeshil këtë të enjte në sallën e Kuvendit, duke autorizuar SPAK-un me 75 vota pro, për të vendosur masën e sigurisë arrest shtëpie ose arrest me burg ndaj liderit të opozitës Sali Berisha.

Ndonëse ky votim parashikohej, ajo që do të ndodhë me Berishën por edhe vetë opozitën, mbetet e pa qartë.

Gazetarja e Vizion Plus, Olta Blaceri, në një raportim nga selia blu për edicionin Qendror të Lajmeve me gazetarin, Roland Zili, ndan detaje lidhur me diskutimet që po ndodhin në mbledhjen e Kryesisë së PD, të thirrur nga vetë Berisha.

“Tashmë është e qartë se çështja e heqjes së lirisë për zotin Berisha është çështje orësh ose maksimumi çështje ditësh, prandaj lideri historik i PD, Berisha ka mbledhur Kryesinë e PD për të vendosur se si kjo forcë politike do të realizojë të gjithë aksionin e saj kundër qeverisë apo të gjitha organizimet e saj politike pa liderin Berisha”, raporton gazetarja Olta Blaceri.

Strategjia që Partia Demokratike do të ndjekë pas dhënies së masës së sigurisë nga Gjykata e Posaçme është edhe sfida sikundër çështja kryesore e opozitës në këto momente. Mbledhja e Kryesisë së PD, drejtuar nga Berisha, ka në fokus protestën e ardhshme më 27 dhjetor, ku Berisha që drejton thirrjet për protestë pritet të mungojë. Po ashtu, lidershipi i kësaj force politike mbetet në pikëpyetje.

“Deri më tani Berisha ka preferuar të shmangë detajet, duke theksuar se do ta diskutojë këtë çështje me avokatët e tij, por bashkëpunëtorët e zotit Berisha kanë folur vetëm për 1 skenar në këto momente, që zoti Berisha, nëse masa e sigurisë do të jetë “arrest shtëpie”, do të qëndrojë në banesën e tij”, thekson gazetarje e Vizion Plus, Olta Blaceri.

Sipas ligjit, çështja e logos dhe vulës e PD ka disa procedura derisa të gjejë dhe “pronarin” përfundimtar.

“Çështjet për logon dhe vulën e PD shqyrtohen me radhë, që do të thotë duhet të mbarojë e gjithë çështja e Berishës në Gjykatë të Lartë, që do të thotë nëse rrëzon zoti Berisha duhet të shkojë në shkallë të parë, dytë, tretë”, teksa rruga ligjore e PD parashikon edhe shumë procedura të tjera.

Nga ana tjetër, protestave të Berishës i janë bashkuar vetëm deputetët që janë reshtuar ndaj tij që në nisje të ndasive brenda kësaj force politike, ndonëse ‘grupimi’ i Bardhit i është bashkuar në disa çështje për të cilat ndajnë të njëjtin qëndrim.

Kjo është hera e dytë që ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha i hiqet imuniteti. Në vitin 1998, mazhoranca socialiste i hoqi imuniteti liderit të opozitës Berisha pasi prokuroria e akuzonte për kryengritje të armatosur në lidhje me ngjarjet e 14 shtatorit 1998.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re