Një skandal i vërtetë është duke ndodhur në fshatin Lumas të Beratit, ku banorët përballen me punonjësit e policisë për shkak të një konflikti për burimet e ujit.
Gjatë ditës së sotme, gratë e fshatit kanë hedhur akuza të forta në drejtim të punonjësve të policisë, të cilët thonë se i kanë ngacmuar seksualisht.
Zonjat tregojnë se kanë qenë duke bërë punët e përditshme të tyre, në momentin kur disa efektivë i kanë ngacmuar, duke iu thënë ”hajde shkojmë nga ferrat”. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, disa prej zonjave janë duke qarë me të madhe, ndërsa kërkojnë drejtësi për atë që u ka ndodhur.
“Ishim duke bërë pazar për punët tona… policët nga furgoni i policisë na kanë dalë para duke na fyer, duke na thënë hajde dalim bashk nëpër fera. Ne nuk kemi nevoj për ju zotëria me uniformë, nuk më plas për ju , kam burrin tim”, mësohet të jetë shprehur një prej zonjave që pretendon se është ngacmuar.
Situata e agravuar ka prekur të gjitha zonjat, ndërkohë që nga policia e Beratit nuk ka asnjë reagim për përplasjen me banorët.
Avokati mbrojtës i banorëve të Lumasit thotë se protesta e tyre është e lejuar me ligj, dhe policia është duke shkelur të drejtat e qytetarëve, duke i ofenduar ata./(E.K/Faxweb.al)