Nga Namir Lapardhaja

Qeveria vijon të kategorizojë qytete si Zona të Gjelbra. Ajo flet për plan hapjeje dhe protokolle strikte se si do të shoqërohet ky proces. Besimtarët katolikë dhe ortodoksë nuk patën mundësi që dy javë më parë të kremtonin sipas traditës festën e Pashkës. Ata u privuan nga mesha dhe lutjet kishtare. Myslimanët kanë nisur agjërimin dhe, gjatë kësaj kohe, janë privuar nga ritualet në xhami. Në fund të muajit Ramazan, është festa e Bajramit, një ndër dy festat më të rëndësishme të Islamit, mirëpo myslimanët shqiptarë nuk do të kenë të drejtë ta festojnë normalisht. Arsyeja është se qeverisë së tyre, që flet për gjithçka, nuk i shkon ndër mend për institucionet shpirtërore. Edhe pse kryeministri Rama nuk lë rast pa cituar Biblën dhe Kuranin, çuditërisht këto ditë është shndërruar i vuvët për një hapje të tillë. Për të mos përmendur rastet e hakërrimit ndaj qytetarëve të besimeve të ndryshme, kur ata i kërkojnë hapjen e kishave dhe xhamive në dritaren e tij të facebook-ut. Është absurde që nga një anë të shprehesh se ke respekt dhe simpati për fenë, nga ana tjetër të mos mendosh për ndjekësit e saj.

Kishat dhe xhamitë duhet të hapen sa më parë. Në të njëjtën mënyrë se si qeveria harton protokolle për hapjen e sektorëve të tjerë të jetës dhe të ekonomisë, ashtu duhet të hartojë për hapjen e tyre. Për të realizuar një gjë të tillë, duhen zyrtarë të përgjegjshëm, të cilët duhet të njohin thellë nevojat shpirtërore dhe psikologjike të atyre që i kanë votuar.

Në momente krize dhe depresioni shoqëror si ky që po kalojmë, besimi luan një rol të rëndësishëm në mbarëvajten shpirtërore dhe qetësinë mendore të njerëzve. Jepjani fesë këtë mundësi. Hapini kishat dhe xhamitë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re