Tregtarët e Tregut Industrial në Berat kanë protestuar sot për të dytën herë brenda një jave përpara bashkisë së qytetit. Rreth 50 tregtarë janë mbledhur sot përpara institucionit të bashkisë për të kërkuar përgjigjen e bashkisë në lidhje me pagën e luftës, raporton “News 24”.

Edhe pse kanë aplikuar, ata nuk janë përfshirë në bizneset që marrin pagën e luftës, sepse janë cilësuar tregtarë ambulantë. 185 tregtarët e Tregut Industrial në Berat paguajnë rregullisht prej 9-vjetësh taksat dhe detyrimet bashkiake dhe si një biznes familjar ky është i vetmi burim jetese që ata kanë. Sipas tregtarëve, ata nuk kanë përfituar asnjë mbështetje financiare, edhe pse Tregu Industrial në Berat është mbyllur me urdhër të bashkisë që në 12 Mars.

“Ne jemi të falimentuar”, shprehen tregtarët, që tashmë kërkojnë hapjen e menjëhershme të tregut për të rifilluar punën.

“Ne që paguajmë 8500 lekë për metër katror në bashki për çdo dyqan që posedojmë brenda tregut quhemi në të zezë, atëherë edhe bashkia Berat është në të zezë sepse Tregu Industrial në Berat nuk është treg privat por treg që administrohet nga shteti, pra nga bashkia e qytetit-,shprehen tregtarët. Duke qenë se jemi në periudhë pandemie për shkak të virusit Covid-19, efektivë të shumtë të DPV Berat kanë rrethuar bashkinë e qytetit dhe kanë bërë shpërndarjen e grumbullimit të tregtarëve. Po kështu, efektivët e policisë kanë kontrolluar çdo tregtar, nëse ishte i pajisur me leje apo jo, duke mbajtur shënim edhe emrat e të gjithë atyre që nuk ishin me leje për të qarkulluar.

Sërish edhe sot, një përfaqësi tregtarët kanë kryer edhe në takimi me kryetarin e bashkisë Berat, Ervin Demo për të gjetur një zgjidhje për pagën e luftës për hapjen e Tregut Industrial për rifillimin e punës./BW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re