Nga: Alban Gorishti

Sa herë që hapim mendiat vizive apo ato të shkruara lexojmë për shtimin e numrit të të vdekurve sikur të ishin thjesht statistika të hyrje daljeve në një hiper market.Kësaj radhe janë miq, të njohur, te afërt etj që surpasojnë njeri tjetrin në nje garë që duket sikur nuk është bërë për ne por shtrëngimin e saj po e ndjejmë përditë. Keshtu më vjen e rivjen në mendje shprehja “Çfarë e mërziti kaq shumë Zotin tonë” saqë të harrojmë fatkeqësitë dhe vdekjet duke i mbuluar me të tjera e të tjera njëra pas tjetrës . Cikli normal i jetës me të cilën u mësuam para tërmeteve dhe pandemisë në përgjithësi e ishte ai ku jeta dhe vdekja lëviznin brenda një suksesioni të natyrshem, ndërsa sot jemi dëshmues të një jonatyrshmërie ku vdekja na duket sikur fshihet pas çdo teshtime apo tundjeje të befasishme të ndonjë objekti për shkaqe të thjeshta njerzore . Inatet, qefmbetjet, apo edhe armiqësitë etj, duken si pluhur në xhamin e një makine të lënë në harresë, përballë forcës vrastare të mjeteve apo shkaqeve vdekjeprurëse që po dëshmojmë.

Tërmeti ua shkundi shtëpitë gjithkujt madje edhe zullumqarëve më të mëdhenj, virusi i siguroi edhe të pasurit që asgjë nuk është e përjetshme dhe se pasuria nuk ta vlerson dot kokën sado të jetë sasia e saj në bankat of shore.

Kjo më kujton se prej shkaqeve të zbritjes së sures Mesed është momenti ku Ebu Lehebi i tha të vetëve me fodullëk se  për të shpëtuar nga vet Ai që ia dha atë pasuri, Zoti pra, kishte për të shpenzuar tërë pasurinë dhe fëmijët e tij, ndaj Zoti zbriti vargjet “Ma agna anhu maluhu ve ma keseb” As pasuria dhe asgjë nuk kanë për ti bërë dobi. E kështu në fund vdiq i sëmurë me një sëmundje të rëndë për shkak të së cilës askush nuk iu afrua por e hodhën në një gropë duke e shtyrë me shkopinj të gjatë nga frika se mos infektoheshin.

Para 1 viti kaluam tronditjen e fuqishme të tërmetit, shumë prej atyre që vdiqën në rrënojat e banesave jashtë standarteve, vdiqën si pasojë e mos pasjes së nje dere ku të qanin hallin që i kishte zënë(pra shtëpitë e dëmtuara apo jashtë parametrave teknik) , pasi sot në këtë vend edhe nëse vdes dikush, vdes për shkak të korrupsionit, zullumit propagandistik, menefregizmit etj (flas për shkaqet dhe jo për caktimin e Zotit). Por gjithsesi kjo përballje duhet të na shërbejë të llogjikojmë, të mendojmë, të reflektojmë për problemet e të tashmes dhe për  zgjidhjet e së ardhmes. E pyetën një të urtë, i thanë gjatë një ceremonie varrimi :Kush është ai që po varroset? Ai iu përgjigj :Ky është unë dhe ti!!

Sot për shkak të vdekjes së të afërmve,  të njohurve, të largët e të afërt, interesohemi për disa njerëz ndërkohë që ata ndoshta mundet të kenë disa kohë që kanë ndërruar jetë, këtu e kuptojmë se nje ditë do të “pyesin” edhe për ne, kjo na tregon se mendja e njeriut është mjaft e brishtë dhe po ashtu na tregon se ateistët janë qenie që pretendojnë se e njohin Zotin aq sa ta mohojnë Atë ndërsa nuk kanë arritur të shpjegojnë akoma dot formalitetet dhe dinamikat e vdekjes (si entitet i hyjnores) dhe as kanë mundur të kuptojnë pse ky fenomen disa i kap që ne rini e disa i le të shtojnë padrejtësinë rreth vetes apo pse disa jetojnë në komoditet ekstrem dhe pse disa lindin në varfëri ekstreme . Nuk paska tek e fundit diçka me të lehte për njeriun sesa injorimi i vuajtjes, dhimbjes, e harresa shumëfishohet nëse kjo vujajtje nuk e  prek drejtpërdrejt atë por të tjerët .

Por vijmë tek pyetja për pjesën që besojnë në Zot, a shpresoni se Zoti juaj kënaqet kur sheh punën tonë të mirë, por anasjelltas a zemërohet kur dëshmon punën tonë të  keqe??

Si është kënaqësia e tij, po zemërimi?

Por a ka nevojë për ndëshkimin tonë Zoti sa kemi ne nevojë të papërshkrueshme për faljen dhe mirësinë e tij?? Ai thotë: Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm.” Nisa

Por vdekja nuk duhet të na bëjë pesimist dhe as të na dëshpërojë pasi tek e fundit ne e kemi ditur mjaft mirë që ajo është proces  i natyrshëm, por në këndvështrimin tim i gjallë do të ngelet ai që e vlerëson vdekjen edhe nëse tashmë nuk është pjesë e kësaj bote, dhe që ta vlersojmë vdekjen duhet të angazhohemi për ta ndertuar jetën, ndërsa kjo e fundit nuk mundet të ndërtohet me fjalë e as me teori pedagogjike por me aksion dhe punë të vlefshme për veten dhe shoqërinë. Ndersa nëse duam të fitojmë imunitet ndaj harresës kolektive atëherë duhet të krijojmë antitrupa të aftë për të penguar fenomenet më negative dhe praktikat më të dëmshme në mesin e shoqërisë tonë. Jeta nuk ka kuptim vetëm se me punë të hajrit, ndërsa vdekja merr kuptim vetëm atëherë kur nxitojmë për të mirën dhe ecim ngadalë në kryerjen e të keqes.

Njëri nga të parët e sinqertë ka thënë: “Nëse dikujt i është hapur një derë e punëve të hajrit(të mira, të dobishme) të shpejton në vepra të mira, ngase nuk dihet se kur mbyllet ajo(mund të jetë koha e saj e hapur shumë e shkurtë)”. (“Ez Zuhd” Imam Ahmedi 311)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re