Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon largimin e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve sipas fashës orare që e lejon deri në orën 17:30.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha se ky kufizim është shtetrrethim politik që s’ka të bëjë me përhapjen e pandemisë apo ndonjë rrezik shëndetësor.

“Kufizimi i lëvizjes në 17:30 është një shtetrrethim politik që s’ka të bëjë me përhapjen e pandemisë dhe ndonjë rrezik shëndetësor. Kufizimi në 17:30 nuk ka asnjë bazë shkencore. Po qeveria publikon shifra të tjera, shifra sipas saj në ulje dhe njëherazi në pjesën më të dendur të lëvizjes së ditës e lejon dhe kur bie lëvizja e kufizon”, deklaroi sot Vasili.

Sipas tij, kjo masë është me qëllime politike dhe me qëllime të këqija të karakterit ekonomik.

“Rrëzon biznesin. Nga mëngjesi deri në darkë fadromat, ekskavatorët e oligarkëve kanë punuar pa pushim.

Duan të rrënojnë biznesin e vogël përfundimisht. E vërteta e COVID është futur në darën e mashtrimit pasi 2 mundësi kishte për të zbuluar, testimet në shumicë dhe aktivizimin e mjekut të familjes. Mos bërja e këtyre të dyjave e varrosi të vërtetën.

Tërheqja e kufizimit 17:30 masa më urgjente që qeveria duhet të ndërmarrë”, theksoi Vasili.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re