Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka dhënë një intervistë për Fax News përmes një lidhje “skype” ku ka folur mbi propozimin e ndërmarrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për miratimin e një projektligji që përmban heqjen e përkohshme të TVSH-së për çmimet e produkteve të shportës.

Vasili tha se kjo nismë ishte në sinkron të plotë me protestat e ndërmarra nga qytetarët të cilët kanë kërkuar ulje të çmimeve për produktet e shportës dhe për karburantin.

Ndër të tjera, nënkryetari i LSI-së, mori në krahasim rastin e çmimit të karburantit në Maqedoni të Veriut, në Kosovë dhe në Mal të Zi ku shtroi pyetjen përse këto shtete me buxhet më modest se Shqipëria kishin çmim më të ulët për naftën.

Vasili: Kjo nismë e ndermarrë nga ne është edhe në sinkron me protestat e qytetarëve. Kërkohet presion i fortë politik të cilin ne po e bëjmë por edhe presion nga ana e qytetarëve. Unë e kam propozuar personalisht këtë projektligj.

Pyetje: Pse zvarritet votimi i këtij projektligji në këtë vazhdë protestash?

Vasili: Është shumë i qartë pazari mes kryeministrit dhe oligarkëve, ulja në tryeza të ashtuquajtura borde të cilat janë vetëm pazare të rradhës. Ku ekziston një kapitalizëm i tillë me këtë rritje çmimesh? Çfarë ka shteti në dorë? Të largojë sa më parë taksat të cilat janë të tepërta. Pyetja është Mali i Zi, Kosova, Maqedonia janë shtete më të mëdha se Shqipëria? Me buxhete më të mëdha? Jo, asnjëra prej tyre. Nëse Maqedonia duhet ta çojë karburantin nga Durrësi në Shkup, kostot janë shumë më të larta ndërsa Shqipëria e ka më të lehtë se e merr direkt në port. Pra Shqipëria duhet ta ketë naftën më të lirë sesa Maqedonia e Veriut. Ju keni dëgjuar se kryeministri u thotë tregtarëve se kanë shumë gjynahe të cilat tani duhet t’i lanin. Pyetja është po si i paska lënë qeveria këto gjynahe? Sepse në këtë rast është e qartë që i ka lënë, pra ka pasur bashkëpunime me oligarkët.

Pyetje: Kryeministri tha se nuk do ketë ulje taksash sepse këto të fundit ishin tepër të vogla…

Vasili: Mjafton të dëgjojmë vetëm fakte të cilat ne po i japim konkretisht këtu. Ky kryeministër gënjeshtar, më thoni ka një përgjigje se përsa karburanti në Shqipëri është më i shtrenjtë se në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi? Pyetja është shumë e thjeshtë sepse nuk kanë qeveri grabitqare.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re