Mehmet Çela është një shtetas turk që, pas një eksperience 23-vjeçare në kuzhinë në vendin e tij, vendosi të zhvendoset në Vlorë. Prej një muaji ai punon në qytetin bregdetar, në kuzhinën e një restoranti. Eksperienca e deritanishme e ka lënë të kënaqur, qoftë me njerëzit, ashtu edhe me pagesën dhe, nëse çdo gjë vazhdon njësoj, Mehmeti do të sjellë edhe miqtë e tij të punojnë këtu.

 

MEHMET ÇELA

KUZHINIER

“Një shoku im më tregoi për Shqipërinë dhe për Vlorën dhe më pëlqeu si ide që të vij të punoj këtu. Ndihem shumë i lumtur dhe shumë komod. Këtu është më mirë sesa në Turqi dhe prandaj e kam zgjedhur. Kam 23 vjet që punoj si kuzhinier, ndërsa në Vlorë gjendem prej 1 muaji. Ky është vetëm fillimi, kam dëshirë të qëndroj gjatë. Do të shikoj sesi shkojnë punët dhe do të mundohem të sjell sa më shumë shokë.”

 

Njësoj si Mehmeti, të shumtë janë të huajt që po vijnë të punojnë në Shqipëri, veçanërisht në 3 vitet e fundit, qoftë si nevojë prej tyre, por edhe si kërkesë e biznesit tonë vendas për fuqi punëtore.

 

ERIONA GAXHO

AGJENCIA KOMBETARE E PUNESIMIT

“Në 2021 kishim 4 mijë të huaj të interesuar për të pasur kontratë pune në Shqipëri.

Në 2022 kishim një numër më të madh, 8 mijë të huaj të interesuar. Ndërsa për pesëmujorin e 2023 kemi 5 mijë aplikime për pajisje me leje unike, që është një leje e unifikuar, një leje qëndrimi me motive punësimi.”

 

Harta e vendeve nga ku ne importojmë krah pune mbetet e njëjtë në vitet e fundit.

 

ERIONA GAXHO

AGJENCIA KOMBETARE E PUNESIMIT

“Nacionaliteti i të huajve ka vite që është në të njëjtin tred, kemi të shumtë turq, italianë, kemi shtetas nga rajoni, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Bosnja, pastaj kemi edhe nga India, Nepali, Egjipti.”

 

Kërkesat më të mëdha në Agjencinë Kombëtare të Punësimit për fuqi punëtore të huaj vijnë nga biznese që operojnë në sektorin e industrisë e përpunimit, në sektorin e ndërtimit si edhe në atë të hoteleri-turizmit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re