Situata vazhdon të jetë e rëndë situata në juglindje të vendit, pas reshjeve të dëborës dhe temperaturave deri në minus 18 gradë.

Më e rëndë situata paraqitet në fshatrat e thellë të njësive administrative. Vetëm në dy njësi administrative të Bashkisë Maliq, shtatë fshatra, për shkak të trashësisë së dëborës, janë të izoluara, ndërsa 81 fshatra të kësaj bashkie kanë komunikim normal, raporton Vizion Plus.

Për të përballuar situatën, Bashkia ka patur në punë një borëpastruese dhe 7 fadroma, si dhe mjete të marra me qira nga subjekte private. Kryetari i bashkisë, Gëzim Topçiu pranon se situata të tilla kërkojnë më shumë mjete, edhe për shkak të shtrirjes malore që ka kjo Bashki. Për këtë, ai thotë se buxheti për emergjencat duhet të jetë shumë më i madh nga vetë bashkitë, por edhe nga qeveria.

Fondi 4% i buxhetit të bashkive nuk miratohet edhe nga bashki të tjera të qarkut të Korçës, duke mos plotësuar buxhetin e duhur për emergjencat civile.

Institucioni i Prefektit i ka kërkuar vazhdimisht bashkive miratimin e 4% për emergjencat nga buxheti. Kjo situatë ka treguar se Bashkitë duhet të ndryshojnë politikat financiare sa i përket emergjencave civile.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re