Poetja e njohur Flutura Açka me anën e një postimi në facebook ka reaguar në lidhje me zhvèshjen e femrave në ekrane dhe kryesisht në programet sportive ku audienca mashkullore qëndron dominuese.

Poetja nuk i citon me emra të përveçëm vajzat pasi më shumë përqëndrohet tek fenomeni dhe arsyet sesa tek personazhet e caktuara mediatike. Sipas saj terreni i medias shqiptare është i ndërtuar i tillë ku vajzave u duhet të mbijetojnë  në këtë mënyrë.

Si një mbështetëse e hershme e emancipimit të gruas në shoqërinë shqiptare shkrimtarja thekson se ky fenomen duhet ti kujtojë të gjithëve se ku jemi dhe cfarë është femra, vetëm në këtë menyrë mund të ketë reflektim dhe ndryshim.

Postimi i plotë: “Të jetë kjo zhvèshje në programe kryesisht të dedikuar për burra – programet e sportit në tv shqiptare – një zgjedhje e tyre? Apo e shefave të tyre? Vajzat e sportit, i drejtojnë këto programe, besoj unë, sepse e njohin fushën e tyre, jo që të jenë objekt për t’ua kujtuar lukunisë, ndonjëherë shumë të uritur të burrave, se çfarë u mungon. Dhe të zgjuar nga adrenalina e lojës, hedhin sytë te e bija, tek e shoqja, të fqinja, te sekretarja, dhe përdhunimi iu duket sport i tyre. Në njëzet vite në Holandē, nuk më ka zënë syri kurrë, komentatore sporti të zhvèshura kështu, madje asnje grua të zhvèshur telelevizioni.

E kuptoj, këtyre vajzave të mira, u duhet të mbijetojnë në këto ekrane të ègra në këto forma, ndryshe do ta pësojnë si ca mikeshat e mia që nuk duken më andejpari ekraneve se janë “plakur”. Por unë do t’u lutesha që t’i ruanin këto fustane për mbrēmjet e diskotekat a plazheve të shumtë, sepse kështu mbrojnë disi nga strabikët mentalë mikeshat e tyre të heshtura pas ekraneve.

Ua kam hequr fytyrat vajzave, sepse nuk e kam personale me to – mund të jenë plot të tjera që nuk m’i ka zënë syri – por e kam me ethet e pështira të ekraneve, që ma kujtojnë mua të parës, dhe ne grave shqiptare ku jemi e ku s’jemi, se çfarë është femra. Mua, që kam shkruar libra pë lirinë, mes të tjerash, për lirinë dhe emancipimin e gruas shqiptare”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re