Kryeministri Edi Rama ka publikuar pyetjen e gjashtë në kuadër të nismës së Këshillimit Kombëtar. Bëhet fjalë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Rama shkruan ndër të tjera se kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njeri-tjetrin.

🇦🇱KËSHILLIMI KOMBËTAR/ PYETJA 6

Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudo qoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar si vijon 👉 https://keshillimikombetar.al/

#LeTëDëgjojmëNjëriTjetrin”, shkruan Rama.

Pyetja 6 në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar:

Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

Kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime.

Opsionet:

-Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor.
– Nuk kemi nevojë për këtë nismë.
– Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re