Ese për atdheun e realitetin shqiptar dhe diskutimet e nxënësve në lidhje me këto tema janë bashkuar në një libër me titullin “Të mallkuar në art”, të promovuar sot në shkollën “Irfan Ngjeqari”,shkollë e binjakëzuar disa vite më parë me Universitetin Luarasi.

Një libër me Ese për atdheun, realitetin shqiptar dhe diskutimet e nxënësve në lidhje me këto tema të nxehta,janë përmbledhur të gjitha në një libër që është promovuar sot në shkollën “Irfan Ngjeqari”. E para shkollë jopublike në Berat pre 20-vitesh, nga e cila kanë dalë çdo vit breza të suksesshëm maturantësh dhe e binjakëzuar prej disa vitesh me Universitetin “Luarasi”, kjo shkollë është dalluar gjithmonë jo vetëm për vlerat e stafit të mësuesve por edhe për aktivitetet e rëndësishme që organizon.

E shkruar nga dora e mësuesit të kësaj shkolle dhe studiuesit Yzedin Hima,libri “Të mallkuarit në art” u prit mjaft mirë nga intelektualët,përfaqësuesit e pushtetit vendor e DAR Berat,mësuesit,nxënësit, studiuesit e përfaqësuesit e besimeve të ndryshme fetare,të pranishëm në këtë aktivitet. Pas ndarjes nga jeta disa muaj më parë nga një sëmundje e rëndë të Presidentes legjendare të kësaj shkolle, Resmije Ngjeqari, është vajza e saj, Haris Ngjeqari ajo që nuk ka ndryshuar asgjë në mënyrën e funksionit dhe organizimit të kësaj shkolle,duke ecur në gjurmët e Mikës.

Ajo e ka cilësuar “nder” të madh faktin që autori i librit është pjesë e stafit të kësaj shkolle,i cili me këtë botim nuk shfaqet thjesht si një shkrimtar por si një dijetar dhe mendjendritur. Veprën e Himës e dallojnë nga të tjerat kundërshtimet origjinale që ajo shfaq pasi Esetë nuk na vijnë si gjykime e si mendime kritike por na shfaqen si përjetime. Ajo që vihet re në këtë libër dhe që të bën mjaft përshtypje është përfshirja e nxënësve në vepër e diskutimeve të bëra me nxënësit.

Eseja më e spikatur është ajo me titull “Atdheu”, ku autori e quan mëmëdhuen si një “objekt” me të cilin janë duke luajtur të gjithë,duke harruar zakonet, traditat dhe historinë e kombit tonë. “Po të kthejmë kokën pas do të shohim të gjitha peisazhet e shkatërruara nga injoranca dhe lëndina të vjedhura nga grykësia. Ata që kontriubojnë për ta vrarë kombin e tyre nuk mund të quhen atdhetarë. Pas gjithë kësaj lind pyetja: mos mbeta pa atdhe?, Mos duhet t’ja mbath drejt një atdheu tjetër?..”,shkruan autori.

Mënyra më e mirë për ta vlerësuar librin është vendosja e tij në kontrast me titullin pasi vetë titulli i librit “Të mallkuarit në art” është një bekim për çdokënd që ka fatin ta lexojë.

(BalkanWeb)