Avokati Kujtim Cakrani ka dhënë një intervistë për Fax News ku u shpreh se bojkoti i avokatëve ndaj seancave gjyqësore duhej të merrte fund pasi qytetarët nuk ishin solidarizuar me proestën e tyre kundër hartës së re gjyqësore.

Cakrani tha se qëndresa e avokatëve nuk kishte asnjë kuptim ndërkohë që qytetarët nuk kanë asnjë reagim për mbyllje të gjykatave edhe pse do të jetë një kosto e shtuar për ta personalisht.

“Ne u munduam që gjithë javën t’u themi qytetarëve se kjo harta e re gjyqësore duke mbyllur 9 gjykata në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, i prek drejtëpërdrejtë ata. Më shumë ata sesa ne. Në këtë mënyrë duke u shpjeguar të gjithë problematikën që do krijohej për ta ne protestuam.

Protesta jonë është njësoj sikur të ngrihen grosistët e karburanteve të protestojnë pse u rrit çmimi i karburantit ndërsa qytetarët të shkojnë në plazh. Pra nuk ka asnjë lloj logjike këtu. Është e palogjikshme që të ngrihen avokatët të protestojnë për të qytetarët vetë shkojnë në plazh. Prandaj po them që nëse qytetarët janë të kënaqur me reformën që do bëhet me hartën e re gjyqësore, atëherë avokatët ku gjenden në këtë mes. Pra është e pakuptimtë për ne avokatët që të biem në këto nivele.

Këtu në rastin konkret nuk janë shkelur të drejtat e qytetarëve sepse këta në thelb janë të kënaqur. Pra nëse qytetarët nuk kanë shfaqur asnjë lloj interesi për mbylljen e këtyre gjykatave atëherë ne pse duhet të protestojmë. Pse duhet të penalizojmë klientët tanë, mos t’u shërbejmë duke bërë bojkot ndërkohë që qytetarët janë në qejfin e tyre vazhdojnë jetën normale”– u shpreh Cakrani.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re