Një biznesmen britanik, i cili u rrëmbye nga shtëpia e tij në Ekuador, është shpëtuar nga policia.

Colin Armstrong, i cili është gjithashtu ish-Konsulli i Nderit i Mbretërisë së Bashkuar në Guayaquil, thuhet se u mor nga një fermë që zotëron në provincën e Los Rios, së bashku me partneren e tij, herët në mëngjesin e së shtunës.

Raportet e mediave lokale thanë se kriminelët e maskuar si oficerë policie hynë me forcë në pronën e 78-vjeçarit dhe e rrëmbyen atë dhe partneren e tij, e cila është një shtetase kolumbiane.

Por sot Cesar Augusto Zapata Correa, komandanti i përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, postoi në X për të thënë se zoti Armstrong ishte gjetur rrugës për në Manabi, jo shumë larg vendit ku u rrëmbye.

Shefi i policisë tha se Armstrong është “i sigurt dhe i shëndoshë e mirë” dhe se nëntë persona janë arrestuar.

Armstrong është themeluesi i Agripac, një kompani furnizimi me produkte bujqësore në Ekuador, e themeluar në 1972.

Pas shpëtimit të Armstrong, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Ekuador, Chris Campbell falënderoi policinë për “të gjitha përpjekjet e tyre për të arritur lirimin e Colin”.

“Ne jemi të kënaqur që Colin Armstrong, ish-konsulli ynë i nderit në Guayaquil, është liruar në mënyrë të sigurt,” postoi ai në X./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re