Të mbyllur nëpër shtëpi, italianët këndojnë e kërcejnë të bashkuar kundër koronavirusit

Të izoluar në shtëpi për shkak të pandemisë së koronavirusit, italianët kanë dalë nëpër dritare e ballkone për të larguar disi tensionin edhe stresin.

Gjatë fundjavës, video të ndryshme tregojnë italianët nëpër dritare, të pajisur me tiganë dhe vegla muzikore ndërsa këndojnë të gjithë “të bashkuar” edhe pse në distancë.

Teksti i këngës së njohur italiane “Azzurro”, e kënduar nga Adriano Celentano, u këndua pothuajse në të gjithë vendin ndërsa zërat jehonin në rrugët e shkretuara.

Ndërsa disa thjesht morën në duar enë kuzhine dhe dolën e bënë zhurmë, të tjerë pikturuan postera ku shkruhej : Gjithçka do të shkojë mirë dhe i varën në dritare apo ballkone.

Italia mbetet epiqendra e virusit në Evropë ndërsa deri më tani Covid-19 ka infektuar 24,747 persona dhe u ka marrë jetën 1,809 të tjerëve.

Italia ndodhet në një karantinë totale, me shkollat dhe pothuajse të gjithë bizneset e mbyllura. Kryebashkiakë të shumë qyteteve italiane, duke përfshirë Romën dhe Milanon vendosën të shtunën që të mbyllnin edhe parqet publike. /abcnews.al/

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=6X9HIytIes0]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re