Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “të mendosh se Rama nuk përpiqet për të vjedhur votat është të gënjesh veten”.
Këtyre deklaratave iu përgjigj kreu i qeverisë, i cili në rrjetet sociale ka publikuar një video ku dëgjohet zëri i Berishës, por në sfond është një buf, me të cilin Rama personifikon kreun e PD.
Krahas videos, Rama shkruan: “Filloi avazi… po vidhen votat”
Kujtojmë që sot Partia Demokratike çel fushatën elektorale në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza”.
Çfarë deklaroi dje Sali Berisha:
“Keni parasysh faktin se Edi Rama, urohej në darkë pa u numëruar asnjë votë për fitoren. Të mendosh se Edi Rama nuk do të bëjë çdo përpjekje për të manipuluar votën është të gënjesh veten, i thonë kësaj.
Pavarësisht nga përpjekjet që bën dhe janë të evidentuara disa përpjekje për të blerë këtu e aty, ai nuk do të ndërpresë përpjekje të tjera, mbasi ai ka faktuar se është i tmerruar. Por ne do ta mbrojmë atë votë, ne po e mbrojmë atë votë. Dhe ne do të ndjekim çdo proces të kësaj vote, gjersa ajo të numërohet e tëra me transparencë”, tha Berisha në konferencën me gazetarët.