Dëshmitë e gjalla që drithërojnë tashmë do të jenë më pranë nxënësve dhe mësuesve, por jo vetëm, përmes platformës: “Të mësojmë për të kaluarën “44-91”-Burime të hapura arsimore”

Një pjesë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit do të bëhen përfshirë në kurrikulat shkollore për të mësuar historinë e periudhës së errët të komunizmit.

Kreu i departamentit të arsimit pranë Këshillit të Evropës, Villano Qiriazi, shprehet se Shqipëria është shumë hapa mbrapa krahasuar me vendet e Evropës lindore, sa i takon metodologjisë së re të të mësuarit.

“Historia nuk është e bazuar vetëm në memorizimin e datave por edhe ballafaqimin me faktet. Është një element shumë i rëndësishëm për të mësuar nga e kaluara. Vende të tjera të Evropës lindore kanë ecur shumë më përpara në këtë drejtim, sjellim rastin e Çekisë, Polonisë, Sllovakisë, Rumanisë. Brezi i ri digjital ka nevojë për mënyra interaktive. Psh. Në republikën Çeke të rinjtë kanë krijuar edhe video games me personazhe historike, duke u bërë protagonistë të saj”, tha Qiriazi.

Kryetarja e Autoritetit për informim mbi dokumente të ish-sigurimit shprehet se puna që është bërë deri më tani për të rriturit, do të vazhdojë edhe për nxënësit e shkollave.

“Ajo që spikat sot janë praktikat ndërkombëtare të daljes nga statusquoja, format e reja diktohen nga zhvillimet teknologjike dhe nga një rini që i ka të përditshme përdorimin e mediave sociale, të platformave të ndryshme. Këtë synon dhe platforma, që burimet e para, arkiva të caktuara të kaluara në filtrat e duhur pedagogjikë të përdoren nga mësuesit”, u shpreh Gentiana Sula.

Mësuesit e historisë, gjuhë-letërsisë, qytetarisë dhe filozofisë janë në proces trajnimi për t’u aftësuar mbi mësimdhënien e historisë përmes burimeve të hapura arkivore e bibliografike. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re