Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka komentuar përjashtimin e 26 deputetëve nga Kuvendi, pas trazirave të krijuara gjatë seancës plenare.

Bardhi tha për gazetarët se në fakt deputetët, ndryshe nga ç’e parashikon rregullorja janë përjashtuar për 11 ditë.

Ai tha se opozita nuk do të zbatojë më asnjë urdhër politik të Ramës që cënon të drejtat e opozitës.

“Në këtë mbledhje kemi vendosur për ta zhvendosur aksionin brenda Parlamentit për ta kthyer në shina Parlamentin.

Kemi konstatuar pavlefshmërinë e plotë të urdhrit politik të Edi Ramës për të përjashtuar nga veprimtari parlamentare pjesën dërrmuese të deputetëve.

Së treti, u kërkojmë këtyre anëtarëve që vetëm firmosin vendime përjashtime që të mësojnë matematikën në klasë të parë, se në fakt i kanë përjashtuar kolegët për 11 ditë, edhe pse rregullorja e përcakton për 10 ditë.

Si deputet, çdo urdhër që ndikon mbi të drejtat e opozitës nuk do të njihet nga opozita.

Besoj, edhe pas vizitës turistike familjare të kryetares së Kuvendit, duhet të marrë masa për ta kthyer Kuvendin në shinat e zbatimit të Kushtetutës.”, tha Bardhi.

I pyetur se nëse do të kthehen në Kuvend me rikthimin e zhvillimit të seancave plenare, Bardhi tha se do të jetë i pranishëm në çdo seancë dhe çdo mbledhje Komisioni.

“S’dinë matematikë. Do vijmë në seancë, do marrim pjesë në çdo mbledhje të Komisioneve. Nuk e njohim vendimin e përjashtimit.”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re