Një ditë para hapjes së garës për kreun e ri të PD-së zyrtare është publikuar formulari i kandidatëve që duan të konkurrojnë për lidershipin e kësaj force politike.
Kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë janë të ndara në 3 kategori, aftësitë e angazhimit politik; aftësitë e integriteti moral; dhe aftësitë organizative.
Një nga kriteret e përcaktuara është që kandidati të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit.
Kriteret e plota:
I. Aftësitë e angazhimit politik
1. Të jetë anëtar i Partisë Demokratike prej të paktën 3 vitesh;
2. Të ketë kontribuuar aktivisht në fushatat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
3. Të mos ketë dëmtuar interesat elektorale të Partisë Demokratike në 3 vitet e fundit;
II. Integriteti moral
1. Të ketë mbrojtur dhe promovuar në vazhdimësi interesat, vlerat themelore dhe programin e Partisë Demokratike;
2. Të mos ketë masa disiplinore në fuqi sipas parashikimeve të Statutit të Partisë Demokratike; 3Të ketë figurë të pastër gjyqësore, duke plotësuar kushtet e dekriminalizimit (sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”);
4. Të ketë figurë të pastër ideologjike, duke plotësuar kushtet e dekomunistizimit (të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksionar i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme);
5. Të ketë reputacion të lartë në radhët e anëtarësisë së Partisë Demokratike, tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe në opinionin publik: 6. Të jetë i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë, që kanë krijuar plagë të rënda shoqërore;
Aftësitë organizative
1. Të ketë kontribut të spikatur profesional dhe politik;
2. Të ketë demonstruar në të shkuarën aftësi të shquara organizative ose të ketë program politik për riorganizimin e Partisë në përputhje me vlerat themelore statutore; të qartë
3. Të ketë njohje të mirë të strukturës organizative të Partisë Demokratike.
Formulari i aplikimit