Banorët në zonën e Baldushkut kanë dalë në protestë pasi kanë mbërritur përfaqësues të Bashkisë dhe IMT-së duke i thënë se do ti shembin banesa. Bëhet fjalë për 30 familje ku jetojnë rreth 100 banorë, të cilët nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare për këtë cështje.

Ditën e sotme i janë prishur magazinat dhe justifikimi që i është paraqitur banorëve është që do të ndërtohen ndërtesat e reja për familjet që kanë mbetur në qiell të hapur nga tërmeti. Banorët kanë folur për Fax News duke thënë se banesat e tyre janë në proces legalizimi, ndërsa nuk i kanë sqaruar se ku do të strehohen në rast se i shembin shtëpitë.

“Kanë ditë që na kanë ardhur fshehurazi për të bërë vizatime për të bërë ndërtime. Sot kanë ardhur fshehurazi për të shembur një magazinë që ne fusnim lopët. Dolëm se nuk ishim nëpër punë, na thanë që do ti shembim. Nesër mund të vijmë të shembim edhe shtëpitë. Ishin përfaqësues të Bashkisë së Tiranës dhe të IMT. Jemi në proces legalizimi. Janë shtëpia që janë ndërtuar që në kohën e Enver Hoxhës. I kemi dorëzuar që në vitin 2014 dhe deri tani nuk kemi marrë gjë. Nga Gjykata e Apelit është pezull çështja. Nuk na kanë pranuar të afrohemi fare me ta. Ne nuk jemi për të bërë luftë me shtetin, por me mirëkuptim. Si ka mundësi që në një lagje të ngresh një lagje tjetër. Të na fusin në një gropë të gjithëve dhe të ngrenë shtëpiat mbi neve. Nuk kemi ku të ikim”, tha një banor.

Ndërsa një tjetër u shpreh se kërkon dëmshpërblim nga qeveria për këtë cështje pasi duhet një rrugëzgjidhje për të ditur se çfarë do të ndodhë me ta.

“Ne nuk do ikim te Milloshevici ti qajmë hallin atij. Gjykatën e ka qeveria, unë nuk kam gjykatë. Unë i kërkova për bagëti, mirë i thashë të shemben se nuk do i lemë ata në shi në dimër, le të vijnë, meqë s’ka vend qeveria, por të paktën më dëmshpërble. I thashë ajo për bagëtitë është, më jep një rrugëzgjidhje ku ta coj bagëtinë. Çfarë lope tha zotëri, çoje edhe në pazar po deshe. Unë jetoj në katund, nuk jetoj në qytet, të marr lopët se do vijë qeveria në tokë time. Ta marr lopën e të iki atje”, u shpreh banori për Fax News.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re