Ish ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka theksuar sërish se metoda më e mirë për ti dhënë fund pandemisë është testimi. Në një lidhje me skype për Fax News, Shehu ironizoi Ramën duke thënë se nëse ka ndonjë shkop magjik për këtë çështje, ta tregojë. Kujtojmë se kryeministri, gjatë takimit me strukturat Vlorë, deklaroi se kush i përjeton shenjat, të veprojë si i infektuar dhe nuk ka nevojë të bëjë tamponin.

“Nëse kryeministri di ndonjë mënyrë më të veçantë që nuk e njeh as OBSH, as specialistët më të mirë europianë të botës që thonë “test, identifiko, izolo, gjurmo, mjeko”. Nuk e di si mendon të përcaktojë e izolojë të sëmurët pa testime. Nëse kryeministri ka ndonjë mekanizëm apo shkop magjik, të na thotë ku e ka. Kam dëgjuar kur tallej me Greqinë, por ky është problemi i tij dhe një nga shkaqet e vështirësisë në të cilat është Shqipëria sot. Nuk e di sa është numri i të infektuarve, nuk e di si është gjendja e të sëmurëve në shtëpi, nuk e dimë as numrin e vdekjeve. Ajo që e identifikon dhe e cakton është testimi”, tha Shehu.

Nuk la pa përmendur shifrat e dy ditëve të fundit në Gjirokastër duke ngritur pyetjen nëse të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë janë false apo të lajthitura pasi një ditë më parë shënoi 31 raste të reja, ndërsa sot vetëm 8.

“Të dhënat dhe të numrat janë fallco apo të lajthitura? Po të shikosh, dje Gjirokastra doli e dyta në Shqipëri pas Tiranës nga testimet që janë bërë dje, 31 pozitivë me një numër kaq të vogël testimesh. Në Gjirokastër është situatë katastrofale për shkak të bombës biologjike. Pasi u kërkua investigim i plotë për këtë situatë kaq të rëndë pasi gjatë orëve të fundit janë dërguar 10 autoambulanca për tu shtruar në Tiranë, përveç atyre që kanë ardhur nga privati, sot pas zhurmës që u bë dje, deklaroi se numri i të infektuarve është 8”, u shpreh Shehu.

(A.M/Faxweb.al)



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re