Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka kërkuar që të ndërpriten pagesat për inceneratorët.

Gjatë intervistës në Panorama TV ajo u shpreh se inceneratorët duhet të merren në dorëzim nga bashkitë duke theksuar ato i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 430 mln eurosh.

“Shumë kolegë të opozitës nuk e kanë miratuar raportin për shkak të luftës së brendshme që ne kemi pasur apo edhe për shkak se nuk ishin ata që e kishin zbuluar këtë gjë. Dosja në SPAK ka të paktën dy ish ministra të tjerë, sekretari i përgjithshëm, katër kryetarë bashkish. Në dosjen për Tiranën Arben Ahmetaj është i akuzuari i parë. Ne presim të ketë të akuzuar të tjerë në dosjen për Tiranën. Sot kemi një zhvillim të mirë. Janë 55 persona që kemi kallëzuar. 20 prej tyre janë sot para drejtësisë.

Kemi 430 mln euro të harxhuara dhe tre instalacione korrupsioni. Masat urgjente që te merren në dorëzim nga bashkitë. Të ndalohen pagesat për inceneratorin e Tiranës. Sot matrapazë janë ata që kanë lejuar që kjo të ndodhë dhe ata që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 430 mln euro. Nëse Reforma në Drejtësi është miratuar, ka kaluar vetëm me votat e opozitës. Insistenca jonë, qëndrueshmëria jonë për ta denoncuar atë dhe këdo që ka qenë i përfshirë e ka ndihmuar SPAK për të dhënë transparencën e duhur. SPAK ka qenë në komunikim me parlamentin për të marrë të zbardhur procesverbalet e Komisionit Hetimor”, tha Tabaku.

Më tej deputetja e PD u shpreh se sot janë tre zyrtarë të maxhorancës para drejtësisë dhe në një shtet normal duhet të kishte zgjedhje të parakohshme.

“Ne kemi denoncuar për 6 vite, kemi ndjekur rrugën institucionale dhe kemi bërë 11 kallëzime. Sot kemi dhe tre persona para drejtësisë. Sot duhet të kishim zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqje sepse ndodhemi para një skandali të jashtëzakonshëm. Ka qenë një betejë shumë e fortë në parlament para dy ditësh dhe një tërheqje e maxhorancës dhe i kam parë kolegët socialistë të gjithë me kokën ulur dhe të gjithë të heshtur. Unë jam dakord për thirrjen e çdo proteste por besoj se nuk janë të mjaftueshme.

Ne duhet të ndryshojmë mendësinë dhe sjelljen. Do kisha një sugjerim për kolegët që sulmuan Komisionin Hetimor, duhet ta kishin mbështetur dhe kjo gjë duhet të na kishte bashkuar. Protestat janë të nevojshme por nuk janë të mjaftueshme. Ne duhet të shohim dhe nga vetja përpara një qeverie që ndodhet në degradim, duhet të jemi në gjendje të kemi një ofertë të denjë”, deklaroi ajo.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re