Nga dera e SPAK, ku kallëzuan për shpërdorim detyre ministren e Kulturës, Elva Margariti, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë bërë një deklaratë për mediat, ku i kërkojnë llogari Prokurorisë së Posaçme në lidhje me dhjetra kallëzime që ata kanë bërë.

Adriana Kalaja, një prej përfaqësuesve të Aleancës tha se kreu i SPAK, iu detyrohet atyre më së pakti një shpjegim se çfarë po ndodh me kallëzimet, ndërkohë që Elva Margariti duhet të përgjigjet për shembjen e Teatrit, pronësia e të cilit iu la ministrisë me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kalaja tha se Aleanca po përgatit një ankesë dhe në drejtim të ambasadores Yuri Ki, e cila do ti dërgohet senatit.

“Kishte marrë urdhër nga shefi i saj që të mbylleshin dyert kryesore. Siç e kishim cituar në kërkesën tonë drejtuar Ministrisë së Kulturës për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ne e konsiderojmë si konsumim të elementëve të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, të korrupsionit pasiv dhe të refuzimit të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kemi kërkuar ndjekje penale jo vetëm për znj. Margariti por edhe për 4 policët për zbatimin e një urdhri të paligjshëm, për sjellje ne tyre në shkelje të etikës, në mënyrën e dhunshme ndaj artistëve dhe qytetarëve që shkuan thjesht për të depozituar një kërkesë. Kemi bërë dhe një kallëzim për çdo person të paidentifikuar nga ne që me veprimet e bëra kanë penguar depozitimin e kësaj kërkese dhe kanë penguar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ne gjykojmë që ministrja Margariti ka shpërdoruar detyrën dhe kjo e rëndon veprën penale që ministrja Margariti ka bërë që me vendimin e transferimit të pronës që u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Margariti së pari do përgjigjet për veprat penale të kallëzuara nga ne në korrik 2020 dhe për veprat penale që po i konsumon në krye të detyrës.

SPAK akoma nuk po reagon, akoma nuk po merr vendimin që duhet të marrë. Gjykata Kushtetuese u tregua në lartësinë e detyrës, në lartësinë e Kushtetutës, këtë gjë duhet të bëjë dhe SPAK se janë shpenzuar miliona euro. Afati i hetimeve ka përfunduar dhe ne duhet të marrim një përgjigje se çfarë është bërë me kallëzimet tona dhe me reagimin jo etik fyes që i bën Aleancës, në lidhje me disa kërkesa që i kemi bërë, me pozicionin ku ndodhen hetimet dhe për një takim që duhet të bëjë me artistët e Aleancës. Ne kemi treguar që nuk tërhiqemi, do vazhdojmë me denoncimin e zyrtarëve vendas e të huajve”, u shpreh Kalaja.

Ndërkohë që Robert Budina ka një mesazh dhe për opozitën që sipas tij hesht, kur po përgatitet që Trualli i Teatrit Kombëtar ti kalojë sërish Bashkisë së Tiranës, pavarësisht vendimit të dhënë më herë nga Gjykata Kushteteuse.

“Më së shumti ne kërkojmë një takim sy më sy me kreun e SPAK, për të kuptuar se cili është problemi i tyre. Zotëri, kush e ekzekuton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku jeni me këtë pikë, si ka mundësi zotëri që ju nuk hetoni, nuk pyesin për ju fare, pasi po bëjnë sërish gati vendimin për tia kaluar Teatrin Bashkisë së Tiranës.

Kush na mbron ne zotëri, nuk kemi ardhur këtu për të bërë çudira, jemi këtu për ta çuar kauzën tonë deri në fund. Ku jeni ju zotërinj ambasadorë, çfarë qëndrimi keni ju zotërinj ambasadorë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo nuk ndërhyni në punët e brendshme.

Ku është opozita shqiptare? Çfarë bën opozita shqiptare, kemi pasur një pakt! Prona do të thotë rikthimi i godinës, si ishte dhe aty ku ishte, jo jo Teatri nuk ka ikur, këtu bëhet fjalë për qytetari!

Të ngrejmë një çadër para SPAK që ju të kuptoni se njerëzit kanë nevojë për drejtësi”, u shpreh Robert Budina.

“Iu qep Lushnjes, a thua se ishte batërdia më e madhe në Shqipëri. Jo jo, batërdia më e madhe në Shqipëri është ajo që po ndodh në kryeministri dhe në Bashkinë e Tiranës”, tha Mehdi Malkaj.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re