Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar qytetarët e Kavajës që të ngrihen si në vitet ’90, për çlirimin e Shqipërisë.

Përmes një bashkëbisedimi me anëtarët dhe simpatizantët në qytetin e Kavajës, Berisha e quajti situatën e ditëve të sotme si një e keqe e madhe që e ka pllakosur Shqipërinë.

Ndërsa citonte ish-presidentin amerikan, pas një gjenerate, Berisha thotë se në Shqipëri demokracia është zëvendësuar me diktaturën.

Sali Berisha: Do ta nis këtë fjalë me një thirrje zemre për çdo qytetar të Kavajës, për çdo qytetar shqiptar, të bëhemi kavajas të vitit 1990. Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa.

Ata kishin përballë një parti përbindëshe, por ata kishin idealet e tyre, kishin traditat e shkëlqyera familjare, kishin fisnikërinë e njeriut që nuk shet vlerat e tij. E vërteta është se grupet antikomuniste të Kavajës, e çliruan Kavajën, shumë kohë përpara çdo qyteti të Shqipërisë.

E çliruan Kavajën sepse ata ishin guximtarë, sepse Josif Buda ra për t’u bërë i vdekur dhe skuqi rrugët e këtij qyteti, sepse e shndërruat stadiumin në një fushë gladiatorësh, në një përballje epike me diktaturën mizore.

Sepse ju kavajasit jo vetëm djemtë dhe burrat, por e vërteta është edhe nënat, motrat dhe vajzat, nuk duruat, nuk pranuat të pajtoheshin më tutje me të keqen. U ngritët ju, frymëzuat Shqipërinë dhe ndaj ju them sot këtu, me të keqen e madhe që ka pllakosur Shqipërinë pas 30 vitesh, pas një gjeneratë, siç thotë në mënyrë profetike Ronald Regan, që demokracisë vetëm një gjeneratë i duhet për t’u zhdukur, për t’u  zëvendësuar me diktaturën. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri.

Sot përsëri, Kavaja është qyteti i shpresës. Kavaja nuk u mposht në kushtet më të egra në zgjedhjet e fundit, ju i dhatë qytetit dhe vendit Fisnik Qosen, kryetar bashkie.

Por mos harroni këtu, se kujtoj si sot, datën 20 shkurt, kur në Tiranë do bëhej beteja e madhe për të përmbysur shtatoren e satanit. Mbi 1500 burra u nisën në këmbë për të ardhur në Tiranë në betejë dhe u bënë pararoja e asaj beteje. Sot, çdo kavajas, të cilët çliruan Kavajën, ka mision historik të luftojë për çlirimin e Shqipërisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re