Në një kohë kur ngërçi politik në Shqipëri ende nuk është zgjidhur, ku nga një anë qeveria vijon me programin e saj qeverisës dhe opozita jashtëparlamentare flet për zgjedhje të lira, vjen një koment nga ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manjani thekson se partitë politike në vend janë ende shumë të vjetra për të përballuar dekadën e tretë të shekullit ku jetojmë.
Duke qëndruar në këtë linjë ish-ministri shton se, janë të gjithë njësoj, të njëjtat parti dhe fytyra, ndërsa shton se; “Opozitarët thonë që qeveritarët janë më të këqijë se ne. Qeveritarët thonë se të këqijat e ish pushtetarëve janë më të këqija se të zezat tona”. Mes të tjerash Manjani tha se pavarësisht kësaj situate ai mbështet idenë e zgjedhjeve politike që kthejnë pluralizmin dhe garantojnë rotacionin.
REAGIMI I MANJANIT
Partitë politike janë ende shumë të vjetra për të përballuar dekadën e tretë të shekullit që jetojmë.
Na pëlqen ose jo, ky përceptim është gjerësisht i ngulur në mendjen e njerëzve.
Dhe s’kanë faj, me thënë të drejtën.
Të njëjtat fytyra!
Të njëjtat parti!
Të njëjtat veprime!
Të njëjtat fjalë!
Njësoj! Si në fundshekullin e shkuar edhe në këtë dekadë të tretë të shekullit të ri.
Opozitarët thonë që qeveritarët janë më të këqinj se ne. Qeveritarët thonë se të këqijat e ish pushtetarëve janë më të këqija se të zezat tona! E mbani mend Shalsin e dekadës së shkuar?!
Njësoj! Gjithnjë koka pas.
Ishim më mirë kur ishim keq..!
Ftesa e vetme që i bëhet njerëzve është na zgjidhni ne se jemi më pak të këqinj. Kështu bëjnë të gjitha partitë, pa përjashtim!!!
Ndërkohë njerëzit nuk vendosin, nuk zgjedhin, thjesht votojnë.
Asnjë ndryshim!
Partitë kanë krijuar një realitet virtual rreth vetes. Flasin për suksese dhe për dashuri ndaj popullit, duke sharë kundërshtarin.
Njësoj, me të njëjtin ritëm si më parë!
Kulmi është kur partitë bëjnë debat edhe për hallet e Amerikës, Francës e Gjermanisë si në faqen 4 të Zërit të Popullit dikur.
Asnjë lidhje me Shqipërinë reale, me shpopullimin e frikshëm, me polarizimin ekstrem ekonomik e social, me ndasi të rënda sociale, pa shtet dhe me demokraci të dhunuar.
Asnjëra parti nuk thotë se si zhvillohet Shqipëria reale!!! Të gjitha merren me veten duke bërë ato hesapet e vogla elektorale.
Hesape të reja me numra të vjetër.
Njësoj, si gjithmonë!
Keq boll, me thënë të drejtën!
“Ma za ma keq”- thonë andej nga Shkodër-Lezha. Veçanërisht me ligjin anti-shpifje, keq është kjo puna e “zërit”…
Megjithatë, vijoj të mbështes idenë e zgjedhjeve politike që kthejnë pluralizmin dhe garantojnë rotacionin!
Me atë që na ndodhet do kavërdisemi…