Mazhoranca socialiste ka prezantuar sot projekt rezolutën për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

 

Projekt rezoluta është e bazuar në Rekomandimet e Raportit të BE për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në Deklaratat/ Rezolutat e Samitit për demokraci të SHBA.

Në prjekt rezoluta thuhet se Kuvendi angazhohet të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend.

“Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, thuhet nder te tjera ne projekt rezoluten.

Projekt REZOLUTË

PËR THELLIMIN E REFORMAVE PËR MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EVROPIAN

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit (neneve 1, 2, 3, 6, 7, 75.2, 77.1, 78 dhe 80 të saj) si dhe të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (neneve 24, 36, 68, 98, 102, 105, 106.1 të saj),

Bazuar në Rekomandimet e Raportit të BE për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në Deklaratat/ Rezolutat e Samitit për demokraci të SHBA;

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë, si shprehje përbashkuese e vullnetit të mbarë zgjedhësve pa dallime partiake dhe të të gjithë shqiptarëve kudo janë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; në zbatim të parimteve dhe detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës sonë; me bindjen e plotë në mundësitë e politikës dhe shoqërisë për t’iu përgjigjur domosdoshmërisë së një qasjeje kombëtare gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të kësaj faze vendimtare për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.

Ne, anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë

Duke e konsideruar moment kyç të historisë sonë të përbashkët, rrugëtimin Evropian të vendit përmes negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, pas përfundimit me sukses të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screening) dhe vlerësimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për arritjet e Shqipërisë në të gjithë sektorët, si edhe nënvizuar gatishmërinë e vendit për t’iu përmbajtur legjislacionit të BE-së në fushën politike, ligjore, ekonomike dhe sociale;

Duke shprehur vlerësimin e përbashkët për mbështetjen strategjike që Bashkimi Evropian dhe SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në avancimin e reformave për konsolidimin e sundimit të ligjit, forcimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut;

Duke e vlerësuar Reformën në Drejtësi, si një prej lëvizjeve më të mëdha shtetndërtuese në historinë e shtetit shqiptar – më e madhja në procesin historik të kalimit nga diktatura në një demokraci funksionale – dhe duke e çmuar zbatimin e saj si një domodoshmëri për jetësimin e parimit themelor kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve si dhe për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, efiçent, profesional dhe të barabartë për të gjithë qytetarët;

Duke vlerësuar rezultatet e derisotme pozitive të reformës në drejtësi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet procesit të vettingut për pastrimin e burimeve njerëzore në sistemin e drejtësisë, si dhe nëpërmjet veprimtarisë së strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila po kontribuon në mënyrë domethënësë në dhënien fund të epokës së pandëshkueshmërisë, duke shërbyer njëherësh edhe si një vlerë e shtuar besimi për vendimin e shumëpritur të hapjes së negociatave me BE-në;

Duke qënë të vetdijshëm për domosdoshmërinë e njohjes së problematikave të vendit në këtë fazë vendimtare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe adresimin e përbashkët të prioriteteve veçanërisht në drejtim të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe korrupsionit, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në Raportet e BE dhe Raportin screening të Komisionit Evropian, të cilat kërkojnë një analizë të përbashkët objektive, një reagim të përbashkët institucional dhe një veprim të koordinuar midis të gjithë institucioneve përgjegjëse;

Duke mbështetur angazhimin me plane masash konkrete të ekzekutivit dhe të të gjitha institucioneve të përfshira, për të përmbushur detyrimet e procesit të negociatave dhe duke vlerësuar miratimin nga qeveria shqiptare të dy udhërrëfyesve të rëndësishëm “Për Shtetin e së drejtës” dhe “Për reformën në administratën publike”, si piketa hapëse të Grupkapitullit të Parë që njihet me emrin “Themeloret”;

Me vetëdijen e madhe për këto përgjegjësi të rëndësishme dhe për hapësirën gjithëpërfshirëse që i mundësohet Kuvendit nga Kushtetuta dhe autoriteti që i jep kuadri ligjor në fuqi, me bindjen se manifestimi i vullnetit politik dhe institucional i Shqipërisë në konceptimin, miratimin e zbatimin e Reformës në Drejtësi përbën një përvojë të vyer institucionale për t’u zhvilluar më tej, si dhe me besimin e përbashkët se vendi ka nevojë për një cikël të ri reformimi në funksion të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si domosdoshmëri për përmbushjen e objektivit strategjik kombëtar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030, Kuvendi angazhohet:

Të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend në funksion të një cikli të ri reformimi përmes një qasje të re gjithëpërfshirëse orientuese për aktivitetin e të tre pushteteve të pavarura të Republikës sonë, që pavarësisht njëri – tjetrit dhe në harmoni me njëri – tjetrin të angazhohen aktivisht për rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe forcimin e kulturës së bashkëpërgjegjësisë të institucioneve në avancimin e mëtejshëm të reformave modernizuese të shtetit në përmbushje të detyrimeve të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në kuadrin e Samitit për Demokraci të SHBA-ve;

2.Për rritjen e fokusit të Kuvendit të Shqipërisë, në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës duke konsideruar çështje madhore të një rëndësie prioritare thellimin e reformave për përmirësimin e mëtejshëm të mirëqeverisjes, fuqizimin e luftës ndaj korrupsionit, forcimin e zbatimit të ligjit si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;

Të ushtrojë në mënyrë efektive përgjegjësitë e tij kushtetuese në lidhje me rolin mbikqyrës të komisioneve të përhershme e atyre të posaçme dhe strukturave të tjera përgjegjëse parlamentare, ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese, brenda fushëveprimit të përcaktuar tashmë me Kushtetutë, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit midis pushteteve, me fokus të drejtpërdrejtë adresimin e masave të Udhërrëfyesve të miratuar nga Qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike” si dhe rekomandimet e Raportit Screening të Komisionit Evropian;

Të përmirësojë rolin e tij ligjvënës, monitorues dhe mbikqyrës në funksion të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, ekzekutive dhe ligjbërëse, qendrore e vendore, përmes mekanizmave dhe rregullave që fuqizojnë respektimin e ligjit dhe rritjen e transparencës në vendimarrje, aksesin e qytetarëve dhe gjithëpërfshirjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ dhe vendimmarrjen e qeverisjes qendrore e vendore, parandalimin e konfliktit të interesit dhe lobimit për interesa private, thellimin e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe kontrollin më të mirë ndaj tyre, përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës të pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të zgjedhur ose të emëruar, forcimin e mekanizmave për kontrollin e integritetit të funksionarëve e zyrtarëve të të gjitha niveleve, ngritjen e mekanizmave funksional për transparencën financiare dhe zhvillimin e kulturës e qasjes demokratike të partive politike etj.

Të konsiderojë domodoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj), në të gjithë territorin e vendit;

Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;

Të garantojë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, duke ruajtur parimet dhe shtyllat kushtetuese të Reformës në drejtësi të miratuar në 2016, për të fuqizuar pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor si dhe njëherësh nxitjen e cilësisë së vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe transparencës, sipas rekomandimeve të Raporteve të BE dhe Raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë si dhe masave të udhërrëfyesit “Për shtetin e së drejtës” në zbatim të tyre.

Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë i konsiderojmë detyruese përmbajtjen dhe angazhimet e kësaj rezolute, pavarësisht dallimeve dhe vijave të qarta ndarëse politike e programatike mes nesh, në çdo aspekt dhe për çdo aspekt tjetër të jetës parlamentare.

Miratuar më ___.04.2024

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re