
16 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kanë përgatitur një propozim, i cili do të prezantohet nesër Këshillit dhe që synon të mbajë larg selisë blu të gjithë ata persona që kanë qenë pjesë e Fondacionit “Shoqëria e Hapur” e George Soros, kanë përfituar prej tij apo persona që tërthorazi apo drejtpërdrejtë kanë përfituar nga tenderat apo PPP-të e qeverisë.
“Personat që janë të arsimuar me bursa të Fondacionit Ekstremist të Majtë Open Society Fondation, persona që kanë qenë ekspertë të këtij fondacioni, që kanë përfituar fonde nga kjo organizatë apo që janë të lidhur në mënyrë të tërthortë apo direkte më PPP-të dhe tenderat e qeverisë më të korruptuar të Europës, janë në papajtueshmëri me mandatin si zyrtarë të lartë të PD. Kjo është një marrëdhënie besimi me elektoratin”, thuhet ndër të tjera në propozim.
“Do nisim të pastrojmë shtëpinë tonë, PD dhe Shqipërinë nga kjo ideologji e majtë që ka sjellë shkatërrim kudo në botë”, vijon shkresa që mban firmën e 16 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Këshilli Kombëtar i PD pritet të mblidhet nesër, rreth orës 17:00, në një moment kur selia blu po kalon momente jo të mira dhe përplasje të grupimeve brenda saj.
