Skip to content

Të pathënat e Belind Këlliçit për Bashën dhe Berishën dhe a synon ai një ditë drejtimin e partisë?

Nga Nevila Perndoj

Ai ka shkuar shumë larg për tu kthyer pas. Qysh prej 2015-ës kur u zgjodh kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ai bënte aluzion se njeriu i cili nuk e kishte penguar në asnjë prej vendimmarrjeve të tij në krye të Forumit (por që nuk kish kaluar përtej kësaj) mund të merrte postin e kryeministrit.

Ai ka një lloj konformizmi të deritashëm se ajo që ka më shumë rëndësi është çuarja e PD-së në pushtet, pavarësisht se kush e drejton.

Belind Këlliçi është 34 vjeç i dorëhequr nga mandati i përfunduar prej dy vitesh në krye të FRPD-së, por me një debat të hapur me kryetarin e PD-së Lulzim Basha për mënyrën se si duhet të bëhen zgjedhjet e reja në forumin e të rinjve.

Me një statut të ndryshuar një vit pasi u zgjodh drejtues, Këlliçi i mëshon idesë statutore se gjithçka i përket kompetencë Forumit për të zgjedhur organet e reja, pa ndërhyrjen e Lulzim Bashës, i cili në anën tjetër ka ngritur një grup pune për të drejtuar vetë ai procesin.

Ky debat publik çoi në një tension të skajshëm marrëdhënien e dy njerëzve që prej vitesh ishin parë distant në kuptimin e bashkëpunimit politik edhe pse korrekte në dukje.

“Unë nuk kam pasur probleme përsa i përket vendimmarrjeve brenda Forumit Rinor, kam pasur sugjerime nga ana e tij (Basha) apo këshilla por ai nuk ka qenë asnjëherë invaziv dhe këtë meritë duhet t’ia njoh”, përgjigjet Këlliçi për Gazetasi.al kur e pyet se  çfarë meritash i njeh Lulzim Bashës.

Krisja mes të dyve filloi thellë thellë për mungesën e promovimit të të rinjve të Forumit në strukturat zyrtare të PD-së.

“Në vitin 2017 ai shkatërroi të gjithë atë frymë që ne patëm nisur për gati dy vjet (nga viti 2015), sepse nuk u mbajt premtimi ndaj të rinjve që 35% e kandidatëve do të vinin nga ata. Asnjë nuk u fut në listë atë kohë, zero, përfshirë edhe mua. Dhe kjo ishte një çarje e madhe me gjithë tentativat që u bënë në tetor të vitit 2017, në një mbledhje maratonë atëherë me Bashën dhe kryesinë e FRPD (që ka zgjatur rreth katër- pesë orë) ku kërkuam futjen e kuotave në statut të PD-së për përfaqësimin e të rinjve.

Në prill të 2018 me ndryshimet statutore u sanksionua që për herë të parë në Këshillin Kombëtar 15% e anëtarëve fitues të Këshillit duhet të vinin nga radhët e Forumit Rinor”, vijon Këlliçi, duke nënvizuar se ai premtim u mbajt atë vit, por u shkel sërish në zgjedhjet parlamentare të 2021-it.

“5% e kandidatëve për Kuvendin e Shqipërisë duhet të vinin nga të rinjtë që edhe kjo deri diku u anashkalua sepse u caktua një komision i vlerësimit të kandidatëve nga Basha dhe kanë qenë këto mosrakordime që në një farë mënyre kanë sjellë një përplasje në heshtje të shumë të rinjve në FRPD që kishin ambicie për të pasur karriere politike, por që e kanë parë pengesë promovimin e tyre brenda radhëve të PD-së”, shton ai.

Një lloj distance që sa duket reflektohej edhe në bashkëpunimin e përditshëm.

“Basha nuk ka ditur që të ketë partner. Ai nuk ka ditur të bashkëpunojë me bashkëpunëtorët, por ka kërkuar gjithë kohës mëkëmbës dhe nuk është kjo mënyra se si një parti politike e bën fituese, ky është problemi më i madh”, vëren ai.

Ndryshe, sipas tij, ka ndodhur me Berishën.

“Berisha me gjithë karizmën e tij të gjithë pranuar me lidershipin e tij me faktin që ka qenë themelues i PD-së sigurisht nuk ka pasur asnjëherë problem për të promovuar bashkëpunëtoret e tij dhe për të punuar me partneret e tij. Përkundrazi, kritikët e tij më të mëdhenj në 2005 ai i afroi sërish, i riktheu në PD, me të mirat dhe të këqijat pa komplekse ndaj kurrkujt dhe kërkonte me çdo e mos që të rikthehej PD në pushtet me atë kryeministër. Ndërkohë që ua them me garanci absolute se FRPD ka bërë të pamundurën për të sjellë Bashën dhe PD-në në pushtet”.

Belind Këlliçi ka qenë drejtues departamenti, mes pas drejtues Forumi, aktualisht sekretar në parti për pronat dhe për pasojë anëtar i kryesisë, së fundmi edhe deputet.

Një karrierë e shoqëruar me një marrëdhënie jo fort të gjatë por as edhe e shkurtër për të përcaktuar profilin e një njeriu të cilin Këlliçi këmbëngul se deri zgjedhjet e 25 Prillit kishte punuar ta kishte kryeministër.

Por çfarë ndryshoi pas zgjedhjeve? Pse ai nuk foli kur duhej por vetëm kur pati një vendim të hapur të Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës?

“Kemi qenë pjesë e një Kuvendi Kombëtar në korrik të 2017 që ka qenë Kuvendi më i gabuar dhe ka pasur qasjen më të gabuar, dhe unë kam heshtur, nuk kam duartrokitur as Kuvendin dhe as diçka tjetër por heshta sepse edhe mua më kapi rrjedha si gjithë të tjerët se në PD nuk ka alternativë tjetër përveç Bashës. Ky është opinioni më i gabuar që mund të kenë demokratët.

PD-ja është një parti që ka prodhuar pafund politikanë race dhe është momenti që të kthehet konkurrenca dhe gara në PD dhe sigurisht të rinjtë duhet të zënë një rol primar”, thotë Këlliçi i ngazëllyer jo pak nga një tjetër lëvizje në parti ajo e Foltores së Sali Berishës.

Por çfarë e lidh Belind Këlliçin me Sali Berishën? Një djali të diplomuar jashtë, ambicioz dhe i kujdesshëm në raportet politike brenda partisë, por edhe me ndërkombëtarët, që i bashkohet një foltoreje që drejtohet nga një politikan me dritëhijet më të diskutueshme qysh prej fillimit të pluralizimit ku edhe verbi politik (i foltores) në të shumtën e kohës është edhe linçues.

“Nuk më lidh asgjëme verbin, me lidh hapësira e mendimit ndryshe, me lidh liria për të thënë atë që ti mendon, me lind liria për të kritikuar organizatorin e Foltores…”, përgjigjet ai.

Për të shkuar tek besimi që ai ka ndaj një njeriu që sot promovon lirinë e mendimit (kur prej vitesh ka bërë të kundërtën), e pyesim Këlliçin mbi marrëdhënien që ai ka ndërtuar me vetë Berishën.

Në fund të fundit a është ai një “produkt” i tij sa kohë që sot palët po rreshtohen “qorrazi” bazuar në këtë fakt?

Për të dalë tek përgjigja, Këlliçi sqaron fillimisht marrëdhënien e ndërtuar me të.

“Berisha ka qenë dhe është lideri historik i PD-së. Gjatë tetë viteve në opozitë kam mundur që ta zhvilloj më tej marrëdhënien me të, sepse ai ka qenë kryeministër më përpara dhe unë jam kthyer në Shqipëri në 2009 kur unë kam qenë thjesht anëtar i Forumit Rinor… Marrëdhënia ime me të ka qenë korrekte me aq mundësi sa kam pasur ta takoj dhe me aq herë sa e kam takuar. Ka qenë një marrëdhënie në kushtet e një bashkëpunimi politik në opozitë… Unë nuk jam ‘produkt’ i Sali Berishës. Absolutisht jo”.

Por i kujt?

“Jam i të rinjve që unë shkova në Foltore, i atyre që unë i kam falenderuar dhe u jam mirënjohës për jetë dhe i atyre që unë do të vazhdoj rrugëtimin tim politik. Nëse unë kam marrë 11 mijë e 601 vota në zgjedhjet e fundit me 25 prill i kam marrë për shkak të votëbesimit në zonat ku kam garuar, por edhe punës kolosale që kanë bërë të rinjtë e FRPD në katër zonat që unë kam garuar, por edhe të rinjtë e Forumit Rinor në gjithë Tiranën”, përgjigjet ai

…Në takimin e parë publik kur Belind Këlliçi iu bashkua Sali Berishës me ndërgjegjen e plotë se kishte marrë përsipër edhe  kosto politike sa kohë që Berisha në këtë rast është palë interesi i shpallur “non grata” por edhe target kryesor i kritikave nga linja zyrtare, Sali Berisha, njeriu që i njeh mirë hilet dhe makinacionet politike shpotiti ndër radhe gjatë takimit kur tha se Këlliçi nuk ishte promovuar nga Basha sepse ky i fundit e shihte konkurrent për partinë.

A e kishte nuhatur edhe Këlliçi në këtë prizëm marrëdhënien që kishte ndërtuar Basha dhe fundja a ka ai synim që një ditë të marrë edhe drejtimin e PD-së?

Belind Këlliçi në këtë rast jep një përgjigje pohuese, por të gjatë dhe kujdesshme.

Në fillimet e tij, ai e kishte idealizuar fort PD-në, pa menduar të ardhmen konkrete

“Unë rrugëtimin e tim e kam filluar si anëtar i thjesht i seksionit në lagjen time të PD-së në kryesinë e degës ku unë jam, më pas në grupseksion, anëtar i Këshillit Kombëtar, koordinator kombëtar, anëtar kryesie, drejtor i departamentit të ish-të përndjekurve, kryetar forumi, deputet sot edhe sekretar në parti. Mund të jem në të paktat raste që në PD kam prekur çdo funksion, dhe kam ndjekur çdo hap të një karriere normale politike dhe i kam ngjitur shkallët një e nga një dhe kjo gjykoj se është forca ime më e madhe sot.

Sepse unë e di se çfarë do të thotë sot të jesh edhe anëtar seksioni, të jesh edhe kryetar, të ngjisësh edhe postera të punosh edhe me lista votuesish, të punosh edhe nëpër qendra votimi, të jesh edhe vëzhgues edhe numërues, kam kryer çdo funksion dhe për shkak se kam kryer çdo funksion, di edhe ngarkesën me të cilën vijnë këto funksione, përgjegjësitë që kanë punën e madhe, dhe mirënjohjen e vogël që u jepet këtyre personave që bëjnë këto funksione. Por unë sigurisht që kam ambicie të miat politike”.

Belind Këlliçi rrjedh nga një familje me histori politike dhe rrënjë të thella tek e djathta.

Ai synon që ai por edhe të tjerë të rinj sot të marrin përgjegjësi politike nga drejtues në nivele lokale, kryetarë bashkish,  deputetë, ministra deri tek drejtues partie. Por më një kusht po aq të rëndësishëm; “Të gjitha  duhet të kenë një proces normal meritokracie dhe një logjikë normale karriere sepse nuk mund të kthehemi tek precedenti kur 30 vjeçarët kanë drejtuar vendin në Shqipëri. Jam kundër këtij modeli”

Për Belind Këlliçin politika është profesion ku duhet të ndiqen të gjitha hapat e një karriere për të kaluar më pas tek pjekuria dhe përgjegjësitë e mëdha.

“Hap pas hapi. Duhet të mësohesh me jetën parlamentare, të mësohesh me rregullat në një parti politike. Ka shumë etapa që duhet të kalojë një politikan i sprovuar që më pas kur vjen momenti për të marrë përgjegjësi pasi je i formuar mjaftueshëm për t’i marrë ato”, radhit ai.

Belind Këlliçi sa duket e ka mësuar aksiomën politike të së tashmes. Për të, sot nuk është momenti. Por i përballjes Basha-Berisha.

Kur e pyet se pse Berisha dhe jo dikush tjetër, Këlliçi të jep një përgjigje deri diku logjike:

“Berisha ka qenë i paragjykuar për shkak të mbështetjes që i ka dhënë për 16 vite me radhë Bashës edhe për faktin se të gjithë thonë se Bashën ai e ka mbështetur kaq gjatë në krye të PD-së.

Për çfarë do të bëhej një betejë që të ikte një Bashë dhe të vinte një Bashë tjetër?  Këtë problem duhet ta zgjidhe vetë Berisha personalisht meqenëse ka  kërkuar ndjesë. Duhet të dale vetë ai ta zgjidhë këtë problem. E njëjta gjë edhe me Bashën. Nuk mundet që dikush tjetër të bëjë betejën e Bashës. Ai duhet ta bëjë vetë betejën e tij dhe askush tjetër dhe ne momentin që ai legjitimitet fitohet askush tjetër nuk mund ta ketë mundësinë që të ankohet dhe të thotë që legjitimiteti i Bashës është i kompromentuar por nëse kjo nuk ndodh atëherë ne duhet të zbatojmë vendimin e shumicës”

“Berisha në gjykimin tim deri para dy apo tre muajsh, e kishte mbyllur ciklin e tij politik me gjithë historinë e tij politike, që më shumë i përket triumfeve sesa humbjeve i përket edhe problematikave shumë të mëdha padiskutim, por në total Berisha ka drejtuar PD-në për 23 vjet dhe nga këto 23 vite 13 vjet e ka mbajtur PD-në në pushtet.

Berisha e kishte mbyllur dhe nuk e hapi ai ciklin e vet por e hapi ai vendim që u mor ndaj tij nga Basha dhe e detyroi që të rikthehej në skenën politike, të zbriste në ring dhe Basha sërish sot që flasim refuzon ta bëjë…”, vëren ai.

Këlliçi i mëshon kësaj ideje se beteja duhet të jetë mes atyre të dyve, edhe pse pse me kosto.

Sepse në fund të fundit, sipas tij, është sovrani që vendos.

“Sigurisht që është një kosto dhe është një problem shumë i madh që do të duhet të përballet pikësëpari z.Berisha në rast se kjo ndodh, por edhe e gjithë PD-ja… Unë e kuptoj që është një situatë shumë e vështirë, por nga ana tjetër nuk mundet që nga ana kushtetuese t’i privohet e drejta një individi me këtë sanksion të ketë ambiciet e tij politike në vend, nuk mundet sepse nuk e ndalon Kushtetuta…

Askush nuk mund t’i diktojë bazës së një force politike se kë do të votojë për drejtues politik të partisë së saj përveçse anëtarësisë”.

Për Këlliçin dhe të ardhmen e tij politike qoftë edhe në krye të PD, koha do të flasë në një tjetër moment.

“Absolutisht, por jo vetëm për mua por për të gjithë të rinjtë”

Deri atëherë, Belind Këlliçi do të ecë me parimin se, “…Nëse ne (të rinjtë) nuk japim modelin tonë më të mirë të demokracisë, nëse ne nuk kurajojmë cikle e rotacione edhe brenda forcave politike, atëherë kush mund ta bëjë?”.