Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se vendi duhet të përgatitet për valën e re të koronavirusit, të nxitur nga varianti “Omicron”.

Duke u ndaluar te pandemia, në konferencën e fundvitit për mediet, Rama foli për nevojën e rishikimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid 19.

Deri tani ia kemi dalë, duke garantuar një jetë goxha të çliruar nga shtrëngesat dhe duke i dhënë mundësi ekonomisë që të fluturojë, për t’u larguar nga humnera ku ishim vitin e shkuar.

Sot jemi në kushtet ku duhet të përgatitemi për një valë të re, nga varianti i ri i Covid (Omicron) që po mbyll vendet e tjera. Ne nuk do të ngutemi, vetëm se duhet ta dimë që nuk mund ta kalojmë sikur nuk ndodh asgjë. Mbase disa masa duhen rimarrë, pa shtrënguar zinxhirin e jetës dhe ekonomisë”.

Kryeministri foli për një shërbim më të mirë shëndetësor. Sot, tha ai, kemi 56 autoambulanca të reja, që e ka çuar flotën në një numër optimal, ndërkohë që “Spitali Infektiv do të rindërtohet nga themelet dhe do të ketë të gjitha kushtet”.

Ndërkohë, shqiptarët mund të kalojnë jashtë natën e ndërrimit të viteve, pasi nuk do të ketë orë policore.

Komiteti i Ekspertëve njoftoi pak ditë më parë se nuk do të ketë kufizim orari natën e 31 dhjetorit. Por, teksa në vend është konfirmuar prania e variantit “Omicron” të koronavirusit, grumbullimet mund të ndikojnë në rritje të numrit të infektimeve.

E pyetur nga gazetarët, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha një ditë më parë se “ky është një vendim që Komiteti e ka marrë duke iu referuar situatës epidemiologjike në vend. Ka bërë dhe vlerësim më të gjerë të situatës dhe në rajon”.

Megjithatë, Manastirliu thekson se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm:

Sigurisht që është shqetësues dhe varianti ‘Omicron’. Por, kërkohet kujdes i shtuar. Do të lejohen lëvizjet këmbësore, të njerëzve, por Komiteti ka rekomanduar që festat të jenë me familjen e vogël, me sa më pak kontakte dhe të jenë të vaksinuar/ testuar.

Duhet të kuptojmë që lufta me pandeminë, është një luftë që i përket të gjithëve. Të gjithë strukturat shëndetësore janë në këmbë, por duhet të rritet akoma më shumë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko