Kur duhen edhe tre ditë nga përfundimi i afatit të dorëzimit të emrave të kandidatëve për president, të premten negociatat e para që do të zhvillohen do të jenë mes kryetarit të grupit socialist Taulant Balla dhe dy grupeve parlamentare të opozitës, asaj për  Demokraci dhe Integrim me kryetare Mesila Dodën dhe Aleanca për Ndyshim me kryetar Fatmir Mediun.

 

Takimet do të zhvillohen të ndara. Në orën 9 të mëngjesit Taulant Balla do të presë të parën për bisedime, Mesila Dodën dhe më pas Fatmir Mediun.

 

Deri më tani ende nuk ka një qëndrim të kryetarit të grupit parlamentar të demokratëve, Enkelejd Alibeaj nëse do të ulet në tryezën e negociatave me Taulant Ballën.

 

Nga tryeza e negociatave fillimisht për përcaktimin e profilit që duhet të ketë presidenti i ri dhe më pas në dakordësinë ose jo të një emri konsensual, nga Partia Socialiste, si udhëheqëse e procesit të zgjedhjes së pasuesit të Ilir Metës, është përjashtuar Komisoni i Rithemelimit.

 

Me asnjë prej të mandatuarve të tyre, deputetët Oerd Bylykbashi apo Luçjano Boçi nuk do të ketë negociatë. Ulja në tryezë e mazhorancës qeverisëse me një pjesë të opozitës, dy grupet parlamentare të drejtuara nga Mesila Doda dhe Fatmir Mediu, vijnë dy ditë para përfundimit të afatit të dorëzimit të kandidatëve për president, pasditen e së dielës.

 

Të hënën e 16 majit, është lënë zhvillimi i raundit të parë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

 

Për aq kohë sa nga Partia Demokratike Zyrtare ende nuk ka një qëndrim dhe me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës fillimisht socialistët do të duhet të përcaktojnë profilin e presidentit të ri dhe më pas emrin, gjasa është që raundi i parë për pasuesin e Ilir Metës, që kërkon 84 vota “të digjet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re