Emiljando Kita është një nga rreth 25 mijë të punësuarit në sektorin e call center.

 

Ai ka mbaruar ciklin e parë të studimeve për shkenca politike, por sot është i detyruar të punojë në këtë fushë, ku fatkeqësisht ndihet i shfrytëzuar dhe i keqpaguar.

 

EMILJANDO KITA

STUDENT FSHS

 

“Diploma që unë kam marrë në bachelor më ka hyrë në punë vetëm që të aftësohem, të kem njohuri më të mira, por në tregun e punës për asgjë. Unë nuk po bëj në punë asgjë që unë kam mësuar, jemi të shfrytëzuar, keqpaguar. Universiteti nuk po prodhon më profesionistë, ama po prodhon njerëz të cilët do punojnë në call center, si kamarierë dhe rrapaten rrugëve të Europës.”

 

Armand Mala, ekspert kontabël shprehet se punësimi jashtë profilit sjell dëmtim të tregut të punës, pasi të rinjtë mjaftohen me gjetjen e një pune, duke mos menduar për kualifikime të mëtejshme për profesionin që kanë marrë.

 

ARMAND MALA

EKSPERT KONTABËL

 

“Duke u integruar në punë të tilla lënë pas dore karrierën e tyre dhe është më e vështirë të integrohesh në profesion pas disa vitesh kur ju keni punuar në një punë totalisht të palidhur me profesionin sesa I sapo diplomuar. Duke tentuar të punojnë në punë të palidhura me profesionin nuk janë ata profesionistët e së ardhmes dhe shteti duhet të ketë politika stimuluese që këta të mos tundohen nga punë të palidhura me profesionin, por të shkojnë në punën në të cilën ata janë diplomuar.”

 

Eksperti për çështjet e karrierës dhe punësimit, Erion Muça tregon se zgjedhje të tilla lidhen kryesisht me kushtëzimin ekonomik, gjë që sipas tij bëhet pengesë për punësim në profesion.

 

ERION MUÇA

EKSPERT PËR ÇËSHTJET E KARRIERËS DHE PUNËSIMIT

 

“Të interesuarit për t’u punësuar më treg, jashtë profilit të tyre është një vendimarrje që bëhet si rrjedhojë e kushtëzimit ekonomik për të patur një të ardhur shtesë në fund të muajit. ’Dëmtohet’ karriera e shumë të rinjve të cilët punojnnë jashtë profilit.”

 

Por cilat janë sugjerimet e ekspertit Muça për të rinjtë që duan të fillojnë studimet dhe që nga ana tjetër, duan të kenë një vend të sigurt në tregun e punës?

 

ERION MUÇA

EKSPERT PËR ÇËSHTJET E KARRIERËS DHE PUNËSIMIT

 

“Tanimë statistikat e dy viteve të fundit tregojnë një prirje  më pragmatiste të të rinjve për të zgjedhur zanate që I lidhin sa më shjpejt dhe sa më herët me punët, si biznesi, administrimi.”

 

Të dhënat e përvitshme të INSTAT tregojnë se call center vazhdon të mbetet sektori më aktiv për të rekrutuar punonjës të rinj.