Edi Rama i është përgjigjur Presidencës për bllokimin e projektit në Vlorë duke ironizuar faktin që thuhet se kryeministri po e përdor për qëllime elektorale.

Me anë të një postimi në Twitter, Rama ironizon me anë të një postimi në Twitter duke thënë “të qash e të qeshësh”, ndërsa shton se turistët duhet të presin Metën, por ka durim derisa Presidenti të lexojë sqarimet.

Edi Rama: Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti  të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka “qëllim selektiv elektoral”, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!

Projekti gati, financimi gati, por ndërhyrja transformuese përgjatë segmentit Vlorë-Orikum dhe banorët, sipërmarrësit, turistët e asaj zone duhet të presin Ilir Metën! Kam pritur me durim e do presim edhe pak që IM të lexojë sqarimet që i kemi nisur, para se të flasim me Vlorën!

Në reagimin e zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi thuhej se arsyeja përse Meta bllokoi fondet për projektin e ri të infrastukturës turistike në zonën që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën dhe Orikumin është se ka kërkuar vazhdimisht informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje.

Tedi Blushi: Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta: “Mbi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e ‘Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)’”.

Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.

Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces.

Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.

Presidenti Meta, garanton qytetarët e Qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se është i vendosur të mbrojë interesin publik dhe njëkohësisht do të respektojë kërkesat e tyre për investime publike, pa i lënë shteg Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re