Pas Komisionit për Rithemelimin e PD në selinë blu ka shkuar edhe një grup të rinjsh të FRPD-së, por dyer sërish kanë qenë të mbyllura.

Në një deklaratë për mediat ata thanë se do të zhvillonin mbledhjen në lidhje me protestën e 8 janarit. Sipas tyre kjo është një situatë e turpshme, pasi PD nuk është pronë e askujt.

“Ne jemi një grup të rinjsh të FRPD që jemi thirrur sot për një mbledhje, për protestën dhe jemi përballur me mbylljen e të gjitha dyerve. Kjo është situatë e turpshme. Kjo seli nuk është pronë e askujt, është pronë e demokratëve, është pronë e të rinjve. Nuk është e nevojshme të njoftohet administrata. Është një mbyllje dyersh për çdo mendim ndryshe, për çdo mendim kundër. FRPD do jetë pjesë e protestës”, tha njëra prej anëtareve të FRPD.

Një prej anëtareve të Forumit Rinor pretendoi se është hequr sigla e FRPD-së nga vendi ku zhvilloheshin mbledhjet. Po ashtu ajo u shpreh për mediat se 8 janari do të jetë dita kur demokratët do të marrin atë që i takon.

“Turpi ka vazhduar dhe në orët e vona ku është hequr sigla e Forumit Rinor, nga dera ku ne futeshim gjithmonë dhe bënim mbledhjet tona këto 8 vite. Unë gjithmonë kam falenderuar Zotin që nuk e kam jetuar kohën e regjimit komunist, por një pjesë të sajën të shëmtuar po e përjetoj sot në partinë time. Forumi rinor nuk është fiktiv, i bëjmë thirrje të gjithëve të na bashkohen në 8 janar që të marrim atë që na takon”, tha një tjetër.

Anëtarët e FRPD ngjitën disa pankarta në godinën e selisë blu me mbishkrimin: “Jashtë pengu i qeverisë nga shtëpia e lirisë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re