Të rinjtë hebrenj që refuzojnë të kryejnë shërbimin ushtarak duke rrezikuar të burgosen, të cilët përbëjnë një segment të vogël të shoqërisë në Izrael, kundërshtojnë pushtimin e tokave palestineze dhe bombardimin dhe vrasjen e civilëve në Gaza.

Në Izrael, periudha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është 32 muaj për burrat mbi moshën 18 vjeç dhe 24 muaj për gratë. Kushdo që e refuzon këtë mund të përballet me burgim deri në 200 ditë dhe presion shoqëror.

Pavarësisht kësaj, ka të rinj hebrenj që refuzojnë shërbimin ushtarak me arsyetimin se ushtria izraelite shtyp palestinezët.

Një prej tyre është 18-vjeçari Tal Mitnick. Mitnick, i cili foli për korrespondentin e Anadolus në rajonin Bat Yam në jug të Tel Avivit, është i mendimit se ushtria izraelite shtyp palestinezët.

Mitnick, i cili sapo ka mbaruar shkollën e mesme, tha se refuzon t’i bashkohet ushtrisë.

“Unë besoj se ushtria izraelite është një krah operacional i ekskluzivizmit hebre në këtë rajon. (Kjo ushtri) Mbështetet në shtypjen e popullit palestinez dhe unë refuzoj të jem pjesë e kësaj shtypjeje. Në vend të kësaj, unë vazhdoj me aktivizmin për të drejtat e njeriut”, tha ai.

Duke thënë se njerëzit që mendojnë si ai janë pakicë në Izrael, Mitnick theksoi se kjo situatë ka filluar të ndryshojë dalëngadalë.

Duke e përshkruar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor si “të tmerrshëm”, i riu hebre tha se zemërimi i njerëzve ndaj këtij sulmi u kthye në një ndjenjë hakmarrjeje. Mitnick deklaroi se ai preferoi ta kthente këtë në “një ndjenjë të dëshirës për më shumë siguri për të gjithë” sesa në hakmarrje.

Ai e përshkruan ditën e parë të sulmit të Izraelit në Gaza si një “luftë mbrojtëse”, por thotë se “më pas ajo u shndërrua në një luftë agresioni kundër civilëve në Gaza”.

“Unë refuzoj të pajtohem me idenë se vrasja e civilëve në Gaza do të sjellë siguri për këdo. Kjo nuk i sjell siguri askujt. Nuk sjell siguri për popullin e Gazës”, tha ai.

I pyetur se si ka reaguar rrethi i tij ndaj refuzimit për të shërbyer në ushtrinë izraelite, Mitnick tha:

“Duke jetuar në një vend liberal si Tel Avivi, njerëzit e kuptojnë dhe respektojnë situatën time. Një nga miqtë e mi më të mirë është aktualisht luftëtar në Gaza. Ne të dy e dimë se njëri-tjetri dëshiron sigurinë e të gjithëve, por ne mendojmë ndryshe se si ta arrijmë atë siguri”.

– “Nuk mund të jem pjesë e imoralitetit dhe padrejtësisë”

Ariel Davidov, 19 vjeç, i cili jeton në një lagje afër Kudsit Lindor të pushtuar, tha se ka qenë në kontakt me grupet mbrojtëse të të drejtave të njeriut që kur ishte fëmijë.

Duke treguar se ka qenë dëshmitar i dhunës ekstreme të forcave izraelite kundër palestinezëve në lagjet e Kudsit Lindor si Sheikh Jerrah, Silvan dhe Iseviyye, Davidov vuri në dukje se ai ka marrë pjesë në protestat kundër përpjekjeve për të judaizuar qytetin.

Duke e shpjeguar arsyen e refuzimit të tij për të shërbyer në ushtrinë izraelite, ai thotë se “nuk ka dëshiruar të bëhet pjesë e imoralitetit dhe padrejtësisë”.

“Ka pasur një gjenocid që ka vazhduar që nga fillimi i sionizmit. Ai nuk filloi në vitin 1948 (viti kur u themelua Izraeli) ose 1967 (viti kur Kudsi Lindor, Bregu Perëndimor dhe Gaza u pushtuan). Kishte kolonializim para kësaj. Ata donin të përdornin këto troje (Palestinën) dhe popullin e saj (palestinezët) për përfitimin e tyre. Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu”, thotë Davidov.

Davidov tha se ai duhej të dilte në gjykatë më 16 tetor, sepse refuzoi të shërbente në ushtri.

Megjithatë, ushtria e kontaktoi atë, duke deklaruar se ai ishte i përjashtuar për “arsye psikologjike”.

“Shumë nga miqtë e mi të ngushtë kanë refuzuar shërbimin ushtarak. Grupi me të cilin kam qenë i përfshirë në aktivizmin e të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje të gjithëve të refuzojnë të shërbejnë në ushtrinë izraelite. Kjo është një pjesë kryesore e luftës sime”, shprehet Davidov.

“Shumë nga miqtë e mi që refuzuan (shërbimin ushtarak) përfunduan në burg. Këto ditë ata zakonisht marrin 150 ditë burg, ndërsa më parë 200 ditë. Disa kanë kaluar në burg 60 ditë dhe të tjerë 50. Mendoj se është një gjë që varet nga gjyqtari”, shtoi ai.

Duke shprehur mendimin se si izraelitët ashtu edhe palestinezët kanë hyrë në një “fazë të re okupimi dhe gjenocidi” që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, Davidov thotë: “Sulmi i Hamasit më preku thellë, por nuk mendoj se ky sulm erdhi nga hiçi. Unë e shoh okupimin dhe bllokadën e Gazës si arsyet kryesore për të”, tha Davidov.

Davidov theksoi se shumë aktivistë izraelitë të të drejtave të njeriut përmbahen nga mbështetja për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar pasi kanë frikë nga ushtria, policia dhe njerëzit që ai i përshkruan si “fashistë”.

Ai tha se shumë nga miqtë e tij, të cilët kanë dokumentuar me video sulmet e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve për t’i dëbuar nga toka e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar, janë rrahur nga kolonët e armatosur.

– “Nuk dua të shërbej në një ushtri raciste”

Ella Keidar, një tjetër adoleshente hebreje që ka refuzuar të shërbejë në ushtrinë izraelite, shprehu besimin e saj se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të jenë mirë.

“Unë nuk dua të shërbej në një ushtri që zbaton okupimin dhe zbaton një regjim racist. Nuk dua të marr pjesë në këtë projekt eksploatimi të pushtimit dhe shtypjes së popullit palestinez”, tha ajo.

Duke theksuar se beson që zgjidhja e vetme për konfliktin palestinezo-izraelit është politike dhe jo ushtarake, Keidar tha: “Palestinezët, ashtu si izraelitët, meritojnë lirinë. Unë besoj se një e ardhme e barabartë është e mundur dhe kjo përfshin të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer (në vendet nga të cilat Izraeli i ka dëbuar)”.

Ajo thotë se përgjithësisht marrin reagime negative nga komuniteti i tyre, por beson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen, edhe pse mund të mos ndodhë gjatë situatës aktuale të luftës.

Keidar përmendi gjithashtu se izraelitët që refuzojnë shërbimin ushtarak zakonisht përfundojnë në burg nëse nuk kanë “arsye të vlefshme mjekësore”.

– Ndërhyrje nga izraelitë fanatikë

Të rinjtë hebrenj që shprehën mendimet e tyre në mikrofonin e Anadolus në një park në afërsi të Tel Avivit, u përballën me ndërhyrje verbale dhe fizike nga një grup izraelitësh fanatikë.

Intervista u ndërpre dhe të rinjtë u detyruan të largoheshin nga zona për shkak të ofendimeve dhe ngacmimeve.

Grupi që regjistroi incidentin me kamerë celulari bërtiti me fyerje, duke i quajtur ata “terroristë” dhe “mbështetës të Hamasit”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re