Skip to content

Të rinjtë shqiptarë janë çdo ditë në internet por renditen ndër të fundit në BE për aftësi digjitale

img 3884

Në një kohë kur aftësitë digjitale janë thelbësore për përfshirjen në tregun e punës dhe jetën sociale moderne, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Sipas Eurostat, vetëm 51% e të rinjve shqiptarë (16–29 vjeç) zotërojnë aftësi digjitale bazë, shumë poshtë mesatares së BE-së prej 71%.

Nuk ka dallime gjinore në Shqipëri, si djemtë, ashtu edhe vajzat janë në të njëjtin nivel (51%). Në kontrast, në shumicën e vendeve të BE-së, vajzat e reja kanë kaluar djemtë për nga zotërimi i aftësive digjitale. Në vitin 2023, 73% e vajzave në BE raportuan aftësi digjitale bazë, krahasuar me 69% të djemve, me diferencën më të madhe në Kroaci (94% vajza ndaj 80% djem).

Në pesë vende të BE-së, Gjermani, Maltë, Rumani, Estoni dhe Sllovaki, djemtë kanë pak më shumë aftësi digjitale se vajzat.

Përdorimi i internetit

Përkundër aftësive të ulëta digjitale, 99% e të rinjve shqiptarë përdorën internetin çdo ditë në vitin 2024, përqindje më e lartë se mesatarja e BE-së (97%). Por në nivel kombëtar, vetëm 83% e popullsisë së përgjithshme përdor internetin çdo ditë, duke krijuar një hendek prej 14 pikë përqindjeje midis brezave, më i thellë se mesatarja e BE-së (9 pikë).

Në vende të digjitalizuara si Irlanda dhe Holanda, ku 100% e të rinjve janë online, edhe popullsia e përgjithshme është pothuajse në të njëjtin nivel (98%), duke treguar një përfshirje më të gjerë në botën digjitale.