Është ndarë nga kjo botë një prej figurave më imponuese të mjekësisë kosovare, Dr. Ali Iljazi, mu prej faktit se ishte një mjeshtër i shpjegimit të madhështisë së krijimit të Zotit te funksionet organike të njeriut. Në këtë pikë, ai shëronte dhe shpirtëra duke shpalosur virtytin unik të besimit.

Bashkësia Islame e Kosovës, pas lajmit të hidhur për frymëndaljen e Doktorit të shquar, ofron dhe një profil të të ndjerit.

“‘Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi’.

Njoftojmë kolegët, miqtë dhe opinionin e gjerë, se sot, më 6 korrik 2022, ka ndërruar jetë doktori Ali Iljazi.

Rahmetliu ka qenë bashkëpunëtor i vyer i periodikut të Bashkësisë Islame të Kosovës, ku ka të botuar një numër të konsiderueshëm të temave e artikujve autorial, si dhe përkthime nga fusha e disiplina të ndryshme.

Me kalimin në Ahiret të doktorit, Bashkësia Islame e Kosovës, e posaçërisht periodiku i saj ka humbur një ndër bashkëpunëtorët e çmuar.

Zoti e mëshiroftë doktorin, ndërsa familjes i dhëntë sabër e gajret!

Varrimi i rahmetliut bëhet nesër, më 7 korrik 2022, në orën 17:00, në varrezat e Xhamisë së Hadumit.

Biografi e shkurtër

Prim.dr.sc.med. Ali F. Iljazi, lindi në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedh nga një familje me ndjenja të thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderriza eminent që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.

Prim.dr.sc.med. Ali F. Iljazi, shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm.

Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973 me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjen e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshmi dhe më i dalluari në këtë Universitet.

Specializimin nga lëmi i mjekësisë interne e kreu në Sarajevë në vitin 1979 po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe falënderim të veçantë.

Në vitin 1987 merr titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988 në Universitetin e Novi Sadit mbron titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.

Deri më sot ka botuar mbi 80 punime shkencore nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme dhe të referuara në kongrese e seminare të ndryshme, si dhe monografinë “Testet bronkoprovokuese në diagnostiken e hiperaktivitetit bronkial”.

Krahas veprimtarisë mjekësore Dr. Ali Iljazi merret me studimin e Kur’anit fisnik nga këndvështrimi shkencor dhe shquhet si pionier i kësaj lëmie në trevat shqiptare.

Nga kjo lëmi ka publikuar mbi 1000 punime shkencore të botuara në revistat: ‘Dituria Islame’, ‘Takvimi’, ‘Zgjimi Islam’, ‘Frymëzimi’, ‘Fjala e bukur’, ‘Hëna e re’, ‘Paqja’, ‘Gazeta Besa’, ‘Vepra’, ‘Drita Islame’, ‘Etika’, ‘Zaman’, ‘Emocioni’, ‘AlbIslam’, etj.

Dr. Ali Iljazi ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës dy mandate prej vitit 1988- 1992 dhe 1992 1996.

Po ashtu ka kryer edhe detyrën e imamit dhe hatibit në Mejtepin e Halil Efendisë dhe në Xhaminë e Qylit”, shkruan BIK. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re