“Historia ime është një varfëri e tmerrshme” Kështu tregon Violeta, nënë e dy fëmijëve. Ajo jeton në një dhomë të vetme në fshatin Vidhash në Elbasan, me djalin e vogël 13 vjeçar.

E gjithë jeta e saj ka qenë një kalvar sprovash. Varfëria e skamja e kanë ndjekur hap pas hapi familjen e Violetës… por sprova më e madhe ishte vdekja e të shoqit. Ai ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak e la jetimë dy djemtë.

Violeta na rrëfen momentet e tmerrshme kur gjeti të shoqin në krevat dhe momentin kur mjeku i dha lajmin e kobshëm.

“Historia ime është një varfëri e tmerrshme. U martuam, nuk kishim asnjë gjë. Im shoq ikte në kurbet, për të ngrënë fëmijët, jo për gjë tjetër. Një dhomë kishim, asnjë kusht tjetër. Kishim shumë ditë që drita nuk kishim, na i prenë, nuk kishim me çfarë t’i paguanim. Shi i madh binte atë ditë. Tim shoq e pashë me sytë në tavan… u trembëm. E dërguam në spital. Doktori më takoi. Më pyeti: Më vjen shumë keq, sa fëmijë ke zonjë? I thashë “dy kam”…ai mu përgjigj “të rrosh ti me dy fëmijët, yt shoq ju la”-rrëfen mes lotëve Violeta.

Pas tragjedisë me të shoqin, vëllai i Violetës i thotë të motrës që të vinte për të jetuar në shtëpinë e tij me dy djemtë, pasi ai do të punonte do t’i ushqente ata. Për dy vite Violeta jetoi atje.

“Unë ika tek vëllai. Më tha çfarë do të hanë fëmijët e mi, do të hanë dhe fëmijët e tu. Qëndruam disa kohë, por edhe ai u dorëzua. Motër jam dorëzuar, të mora e të thash se çfarë do të hanë fëmijët e mi do të hanë të tutë, por jeta është shumë e vështirë në Shqipëri më tha… 5-6 mijë lekë të vjetra bënte në ditë e me ato s’mund të ushqente 9 vetë sa ishim ne të gjithë…”-shpjegoi nëna e dy fëmijëve.

Violeta u kthye në dhomën e saj në fshat. Ajo ka një protezë në trup dhe është invalide. Pavarësisht kësaj, mundohet të punojë për t’i sjellë ushqim në tavolinë djalit të vogël.

“Tanimë si mos më keq. Në fshat. Këtu nuk ka punë. Unë jam bërë dhe operim, kam një protezë. Më kanë nxjerrë invalide dhe marr ndihmë ekonomike. Dalim në verë mbledhim lule medicinale, shkon 2 mijë lekë të vjetra në ditë. Gjatë verës, se në dimër rrimë, do të presim çfarë të na sjellin tjerët… jemi komplet në varfëri.”-shpjegoi ajo.

Por djali i madh i Violetës, 16 vjeçar, prej disa kohësh nuk jeton me nënën e vëllain. Kur Violeta na tregon për të, s’mundet t’i mbajë dot më lotët.

“Kushërira ime është rritur jetime vetë, njëlloj si fëmijët e mi. Më tha Leta, fëmijën e madh do ta marr unë, ta ushqej e shkolloj…një prind e kupton, më mirë të kisha vdekur unë! (qan) nuk mund ta përshkruaj sesa e vështirë ishte të largohesha nga djali. Por nga e keqja! Mungesën e bashkëshortit e ndjeja, por tani ndiej 10-fish mungesën e djalit.

Nuk kam pas shpresë…. nuk besoj të kem shpresë ndonjëherë. Unë vetëm një dhomë po të kem, të jem e qetë me fëmijët e mi.”-rrëfen Violeta mes lotëve.

Djali i saj i vogël ndërkohë mban kokën ulur e mundohet t’i mbajë lotët teksa sheh nënën e tij të rrëfehet. Kur e pyet për ëndrrat e shpresat e tij, ai na thotë:

áJeta ime? Kemi kaluar një jetë të varfër, asnjëherë nuk kemi patur të ardhura. Tani në shkollë shkoj vetëm, dikur ikja me tim vëlla. Ëndrra ime është të kem një shtëpi, të jetoj me mamin e vëllain… shpresë? Jo… çfarë shpresash të kem unë?”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re