Gjuha, tradita e zakonet e arbëreshëve janë në rrezik, ndaj duhet konkretizuar puna për ruajtjen e tyre si një pasuri e çmuar e të gjithë shqiptarëve. Ky ishte mesazhi kryesor i përcjellë gjatë Samitit të 3-të të Diasporës në Ditën Arbëreshe, ku Presidenti Bajram Begaj shprehu shqetësimin  se brezat e rinj nuk po e ruajnë dhe lëvrojnë më arbërishten si gjuhën e nënës.

 

BAJRAM BEGAJ

PRESIDENT I SHQIPERISE

 

“Mbijetesa e arbërishtes nuk është thjeshtë çështje shkencore. Për ne shqiptarët ajo është thelbësisht çështje identitare dhe si e tillë ajo ka rëndësi për interesat e kombit shqiptar. Në këtë kontekst çmoj iniciativën që arbërishtja të jetë pjesë e kurrikulës në të gjitha shkollat e Kalabrisë.”

 

Kryeministri Edi Rama njoftoi se po nis një kapitull i ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe arbëreshëve, duke ndërmarrë politika konkrete.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER

 

“Kemi vendosur të hapim  këtë process që nisi me firmat që u hjodhën këtu me kryetarin e bashkisë tiranë që do të vazhdojë me një binjakëzim të të gjitha bashkive tona në të gjitha komunat arbëreshe. Do të ndërtojmë një program të posaçëm të mbështetur nga qeveria për ti dhënë jetë këtij binjakëzim. Atje lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri, ne nuk e kemi një muze ndërsa arbëreshët kanë ruajtur me shumë fanatizëm reliket e kohës. Kemi gjetur vendin për muzeun e arbëreshëve, ku tjetër veçse në kalanë e skënderbeut. Janë një sërë idesh të tjera që nuk do t’ju marr kohë sot që i japin jetë kësaj marrëdhënieje.”

 

Rëndësinë për nisma konkrete për të promovuar zhvillimin kulturor, gjuhësor, ekonominë dhe turizmin e Arbërisë italiane e theksoi edhe ministri Igli Hasani.

 

IGLI HASANI

MINISTER PER EVROPEN DHE PUNET E JASHTME

 

“Ne jemi me ju dhe ne duam të punojmë bashkë me ju për t’ju mbështetur në ruajtjen dhe forcimin e gjuhës, të identitetit e kulturës arbëreshe. Dita Arbëreshe është një ftesë për të eksploruar bashkërisht mënyrat sesi mund të bëjmë më shumë në çdo fushë, që nga gjuhësia, historia e kultura, e deri tek shkëmbimet apo partneritetet mes institucioneve e organizatave të shoqërive tona civile.”

 

Marrjen e masave urgjente për të ruajtur arbërishten e kërkuan edhe studiues e albanologë

 

Samiti i i 3-të i Diasporës në Ditën Arbëreshe bëri bashkë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues e historian për të adresuar shqetësimet kryesore që prekin komunitetin arbëresh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re