Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për qeveri teknike në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të lira. Në fjalën e tij para mbështetësve demokratë të mbledhur poshtë banesës së tij, Berisha u shpreh se duhet ti dalim përballë këtij regjimi për ta përmbysur.

Berisha po ashtu bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

“Shoqata për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur protestë ditën e premte para bashkisë së Tiranës. Qytetarë, demokratë dhe demokrate të gjithë në protestë në orën 11:00, të gjithë në protestë”, tha Berisha.

Pjese nga fjala e Berishes

Me 2 Prill të vitit 1991, të rinjtë e Shkodrës, qytetarët e Shkodrës dolën në protestë paqësore kundër vjedhjes dhe rrëmbimit të votës së tyre të lirë nga diktatura e fundit komuniste në Europë.

Në një akt hakmarrje primitive ndaj Shkodrës antikomuniste, falangat e krimit të diktaturës derdhën mbi të rinjtë dhe qytetarët e Shkodrës breshëri automatikësh dhe mitrolozësh.

Në këto sulme mizore, në këtë masakër të vërtetë ranë për votën e lirë për t’u bërë të pavdekshëm Arben Broci, ish-anëtar i kryesisë së PD, student themelues i kësaj partie.

Ranë bashkëluftarët e tij Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu, Besnik Ceka dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.

Të dashur miq, duke shprehur nderimin tonë më të madh për sakrificën e tyre që u bë dritë për shqiptarët, sakrificë që çeli dyert e votës së lirë në Shqipëri, sakrificë që jehoi në të katër anët e planetit, theksoj dhe shtoj këtu se këtë vit ne jemi më të detyruar se kurrë ndaj martirëve të 2 Prillit.

Sepse sot njëlloj si në 1991-shin, ne jemi qytetarët e votës së vjedhur dhe kontrolluar nga pushteti.

Sepse sot njëlloj me 1991-shin, ne jemi qytetarë që po braktisim pasivisht vendin.

Njëlloj si në 1991-shin, regjimi bën gjithçka për të asgjësuar opozitën.

Ndaj dhe për ne, sakrifica dhe gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për të rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ata ranë që Shkodra dhe Shqipëria të votojnë në liri.

Ata nuk duruan, nuk ulën kokën po dolën ballë për ballë regjimit të egër.

Ndaj dhe ne, o sot o kurrë, duhet të dalim ballë për ballë këtij regjimi dhe ta përmbysim atë.

Të shkojmë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re