Kryeministri Edi Rama ka premtuar investim në arsim, pasi sipas tij ky është sektori ku garantohet e ardhmja.

Në aktivitetin me temë “Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve”, kreu i qeverisë “dekurajoi” të rinjtë për t’u larguar nga Shqipëria, duke marrë shembullin e ikjes për në Gjermani.

Sipas Ramës, nuk mund të shkohet në Gjermani për një pagë më të mirë dhe nga ana tjetër të pish një kafe si “lëng geshtenje”, madje edhe të presësh biletë 5 euro për të shkuar për ta pirë.

Të gjitha këto sipas Ramës duhen llogaritur në kosot.

“Pa diskutim ADF-në e kemi një partner të rëndësishëm, shpresoj që ADF-ja, që ka bërë me ne disa partneritet me sukses të marrë shembull nga qeveria dhe të hapë pak më shumë portofolin sepse kanë shumë akoma në atë portofolin e tyre.

Duke parë që qeveria shqiptare po bën ekstra sforco që njerëzit tanë të kenë paga dinjitoze dhe në një moment të caktuar mos kenë diskutim mes vetit të rrime këtu apo të ikim…pavarësisht se pagat kur i shikon në pamje të parë duken me diferencë të madhe, por kur shkon pak me thellë, sesa pjesë të pagës mësuesi këtu ja lë shtetit dhe sa pjesë të pagës mësuesi andej ja lë shtetit ndryshon ekuacioni.

Në fund të të gjitha llogarive unë fus kafen. Të shkosh në Gjermani të punosh për një pagë më të lartë dhe të pish atë kafen që është si lëng gështenje dhe ta pish vetëm dhe për ta pirë të marrësh biletën 5 euro, ndërsa këtu kafen mund ta pish në diell, madje edhe në ditë punë është një llogari që duhet bërë dhe përtej shakasë që në këtë rast është më shumë se të vërtetës, i rikthehem fjalisë për të thënë se ADF me siguri, herët ose vonë, do ta zgjerojnë pak portofolin e tyre”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re