Deputeti i PS-së, Pandeli Majko ka dalë kundër deputetëve socialistë për ndryshimet në projektligjin për zonat e mbrojtura, që i hap rrugën investimeve strategjike brenda tyre.

Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Majko u shpreh se i takon Qeverisë të shprehet, duke shtuar se po luajnë rolin e Ponc Pilatit duke bërë punën e dikujt që “s’donte të dilte të thoshte që ky është propozimi”.

Deputeti socialist theksoi se se përfaqësuesit e qeverisë duhet të flasin qartazi lidhur me këtë propozim pasi është politikbërje e mirëfilltë.

“Ata e kanë për detyrë që të kishin sjellë këto ndryshime në qeveri, të mos prisnin sa të shkonte situata deri aty sa të kishte ndërhyrje nga grup deputetësh”, theksoi Majko.

Pandeli Majko: Unë e vlerësoj shumë iniciativën e kolegëve, duke qenë se jemi Komision vendimdhënës jo vlerësues, për procedurë fillimisht duhet të shprehen strukturat përgjegjëse të qeverisë pasi ndryshimi që propozohet sot është politikbërës.

Duhet të shprehen në mënyrë shteruese përfaqësuesit e strukturave shtetërore lidhur me këtë çështje, është propozim politikbërës, pavarësisht se nga pikëpamja e të drejtës kushtetuese delegale e kemi të drejtën si deputetë që të propozojmë, por mendoj se kjo është një e drejtë ekskluzive e qeverisë dhe sigurisht nuk e përjashton të drejtën e deputetëve. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi ndërhyrjet që janë bërë në këtë ligj, duket sikur jemi në rolin e Ponc Pilatit, po bëjmë punën e dikujt që nuk donte të dilte të thoshte që ky është propozimi.

Një nga arsyet pse jam i rezervuar për arsyet për të folur më tepër lidhur më këtë çështje është që Nafusi është një ish-kryetar bashkie me eksperiencë që e bën më të vështirë, së bashku me kolegë të tjerë për të bërë një lloj oponence.

Por mendoj se përfaqësuesit e qeverisë duhet të flasin qartazi lidhur me këtë propozim, është politikbërje e mirëfilltë, ka të bëjë me strategji të ekzekutivit. Ata e kanë për detyrë që të kishin sjellë këto ndryshime në qeveri, të mos prisnin sa të shkonte situata deri aty sa të kishte ndërhyrje nga grup deputetësh.

Tu jepet fjala për të dhënë shpjegimet e tyre strukturave përgjegjëse të qeverisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re