Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës një, ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë së Top Channel. Disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë drejt godinës së televizionit. Makina me targa të vjedhura e përdorur nga autorët është gjetur e djegur në Golem me një kallash brenda.
Njoftimi i policisë:
Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.
