Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kolorado të SHBA-ve, ku si pasojë e të shtënave me armë jashtë shkollës kanë mbetur të plagosur 6 nxënës.

Gjashtë adoleshentët, e moshës 14 deri në 18 vjeç, janë  dërguar në spital pasi u plagosën, por jeta e tyre nuk është në rrezik, njofton  policia.

Dyshohet se autorët e sulmit janë anëtarë të një bande kriminale.

Njëri nga adoleshentët e plagosur iu nënshtrua një operacioni urgjent, për shkak të lëndimeve që mori nga të shtënat.

Sipas medieve të huaja, policia ka gjetur jashtë shkollës predha plumbash të ndryshëm dhe besohet se njëri nga autorët ka qëlluar me armë drejt shkollës ndërsa ka qenë brenda një makine.

Shteti i Kolorados, në Shtetet e Bashkuara perëndimore, ka përjetuar disa nga masakrat më të këqija të këtij lloji në historinë e vendit.

Në vitin 1999, dy adoleshentë vranë 12 nga shokët e tyre të klasës dhe një mësues në shkollën e tyre Columbine.

Në vitin 2012, një burrë i armatosur rëndë vrau 12 spektatorë brenda një kinemaje në Orora gjatë shfaqjes së The Dark Knight Rises.

Në mars, një burrë vrau dhjetë persona brenda një supermarketi në Boulder, 50 milje nga kryeqyteti i Kolorados.

Të ashtuquajturat të shtëna masive, janë një plagë e vazhdueshme në SHBA- sulme të cilat kryhen në shkolla, dyqane, vende pune.

Sipas statistikave të përpiluara nga Washington Post, më shumë se 256,000 studentë në vend janë ekspozuar ndaj një forme dhune nën kërcënimin e armëve të zjarrit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re