Policia e Kurbinit ka reaguar në lidhje me të shtënat me armë të regjistruara mbrëmjen e sotme rreth orës 17:30.

 

Blutë njoftojnë se të shtënat kanë ndodhur në degën lokale të PD-së, në debatin e primareve, ku protagonist kanë qenë Van Rica dhe Kastriot Marku.

 

Sipas policisë, ka qenë shtetasi Van Rica ai i cili ka qëlluar me armë në korridor dhe është larguar menjëherë.

 

Ky person është shpallur në kërkim, ndërsa janë shoqëruar disa persona të pranishëm gjatë konfliktit.

 

Njoftimi i plotë:

Kurbin/ Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 

Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.

 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:

 

Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.

 

Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.

 

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.

 

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re